Valencia mposhti Real Madrid me shifrat 1-0, por shijen e fitores e zbehu publiku i stadiumit Mestalla që nuk pushoi së ofenduari në kor Vinicius Junior. Si në shumë ndeshje të këtj sezoni, braziliani ra preh e racizimit teksa i gjithë stadiumi i Valencias nisi të thërriste në kor “Majmun”.
Një situatë e turpshme duke qenë se nuk erdhi prej disa individëve, por prej gjithë impiantit teksa sulmuesi nuk mundi të mbante nervat dhe në fund u ndëshkua me karton të kuq. Pas sfidës, braziliani dhe trajneri Carlo Ancelotti shpërthyen në akuza me italianin që theksoi se ndeshja duhej të ishte ndalur.
“Ishte një situatë shumë e rëndë, atmosfera ishte e keqe. E pyeta Vinin nëse donte të zëvendësohej, por edhe në atë rast ishte keq sepse i gjithë stadiumi ishte përfshirë nga koret raciste. Unë jam trajneri dhe lojtarët duhet t’i zëvendësoj nëse nuk janë mirë apo për arsye teknike, jo për racizëm.
Nuk kisha para kurrë më parë diçka të tillë, ishte e papranueshme dhe Liga Spanjolle ka një problem madhor. Vinicius nuk është problemi, ai është viktima. Nuk mund të luash futboll në një atmosferë të tillë, kështu do të flisja edhe në rast fitoreje. Në fund e ndëshkuan edhe me karton të kuq, jemi në vitin 2023 dhe racizmi nuk duhej të egzistoj”, u shpreh Ancelotti.
Ndërkohë, vetë Vinicius pas ndeshjes nëpërmjet disa reagimeve në rrjetet sociale theksoi se njerëzit racist fituan pasi në fund ishte ai që u përjashtua nga loja. Sakaq, braziliani shtoi se La Liga nuk është më ajo e njëjta si në kohën kur aty luante Ronaldo, Ronaldinho, Cristiano Ronaldo apo Messi dhe se tashmë i përkiste njerëzve racist.