Materazzi i kthehet incidentit të famshëm: Zidane më ofroi fanellën, unë i kërkova motrën!

Edhe sot ka shumë fansa që e kujtojnë mjaft mirë natën kur Zinédine Zidane, vetëm pak minuta larg mbylljes së një karriere të shkëlqyer, humbi durimin, i provokuar rëndë nga ish-mbrojtësi i Interit.

Goditja me kokë e tij në gjoksin e Materazzi do të mbetet në historinë e futbollit, natyrisht jo si “fletë lavdërimi” për legjendën e futbollit francez. Krenar nuk bën as Materazzi, i cili duke folur për “The Times” i është kthyer atij momenti, që do të donte të mos kishte ndodhur kurrë. Ish-mbrojtësi italian pranon se “Zizou” i ofroi fanellën e tij, ndërsa ai i kërkoi më mirë… motrën e tij.

Pothuajse 18 vite pas fitores së finales së Kupës së Botës me Francën, Marco Materazzi kujtoi episodin e famshëm të përplasjes verbale me Zidane, që përfundoi me goditjen me kokë dhe përjashtimin e francezit me karton të kuq:

“Nuk më pëlqen si moment. Nuk përputhet me atë që ka qenë karriera ime. Ai episod nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Në tensionin e asaj finaleje të Berlinit, mes grindjeve dhe ofendimeve, Zidane më ofroi fanellën e tij, ndërsa unë i thashë jo, sepse preferoja motrën e tij. Më pas ai u kthye dhe reagoi siç e kujtojnë të gjithë. Nuk e kam takuar më kurrë Zinedine”.

Me këtë rast, Materazzi rikonfirmoi vlerësimin e tij për Mourinhon si trajnerin më të mirë që ka pasur në karrierë: “Jose është trajneri më i mirë që kam pasur. Isha mësuar të ndihesha i rëndësishëm, kapiten, por me Mourinhon fillova ta humbas rëndësinë. Megjithatë, ai ishte i sinqertë me mua që në momentin e parë.

Historia e lamtumirës së tij, pas finales se Champions League, të fituar prej nesh në ‘Bernabeu’? Kemi qarë të dy. E pyeta pse po largohej nga Interi, pse po më linte vetëm? Isha i bindur se me Mourinhon mund të vazhdonim të fitonim, ndoshta jo një tjetër Champions League, por tituj të tjerë. Sidoqoftë, ai tashmë kishte vendosur të largohej për te Real Madridi”.