McKee: Nuk qëndrojnë kritikat se Kosova ka humbur vëmendjen e SHBA-së

Ndihmësadministratorja për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin E. McKee, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka theksuar se nuk qëndrojnë kritikat se Kosova e ka humbur vëmendjen dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

“Do t’u thosha, absolutisht jo. Prania ime këtu është afirmim i asaj që partneriteti është i fortë dhe veçse do të forcohet. E pamë që si pasojë e ripushtimit të Ukrainës nga Putini, Evropa dhe Euro-Azia janë rikthyer në ‘radarin’ e kongresit, presidentit tim, agjencisë sime. E me më shumë resurse për t’iu përgjigjur prioriteteve të qeverisë suaj dhe popullit tuaj, USAID-i po i zgjeron programet e tij. S’jemi duke shkuar gjëkundi. SHBA-ja ka qëndruar, do të qëndrojë dhe s’do ta lërë këtë partneritet, kurrsesi s’do të largohet prej këtij partneriteti”, është shprehur McKee.

Sipas saj SHBA-ja do të jetë partnere e Kosovës edhe për shumë gjenerata. “Në 10, 20 apo 100 vjetët e ardhshëm, SHBA-ja do të jetë partnere, mike e Kosovës, jo vetëm sot, siç thashë, por edhe për shumë gjenerata”, ka theksuar McKee.

Ajo ka folur edhe për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, duke thënë se në këtë aspekt duhet të punohet më shumë.

“Të punojmë më fort në agjendën e reformave, të punojmë më shumë në dialog ashtu që Kosova ta ketë paqen e stabilitetin që meriton që potencialisht ta përshpejtojë rrugën për t’u bërë vend kandidat për BE e pastaj edhe integrim të plotë. Unë besoj e mendoj, që edhe ju besoni, se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe ne SHBA-ja jemi këtu për t’ju ndihmuar në këtë drejtim”, ka theksuar McKee.