Më datë 20 shkurt të vitit 1815, lindi Sulejman Vokshi, një prej figurave më të rëndësishme në zhvillimet e Lidhjes së Prizrenit.
Në gjirin e një familjeje gjakovare të spikatur për veprimtari patriotike, u mbrujt i gatitur për t’u flijuar në emër të lirisë së kombit. Ai ishte në vijën e parë të luftës për e pavarësinë e plotë të trojeve shqiptare. Themeloi dhe priu, politikisht dhe ushtarakisht, Lidhjen e Prizrenit.
Në një hark kohor të shkurtër, nën drejtimin e tij, pushteti administrativ e ushtarak i Lidhjes së Prizrenit mundi të konsolidohej duke u shtrirë drejt Shkupit, Prishtinës, Mitrovicës, Gucit, Vuçiternës, Preshevës etj.
Në cilësinë e kryetarit të shtabit të forcave shqiptare, Sulejman Vokshi mori pjesë në luftën e zhvilluar kundër forcave osmane të Dervish Pashës, për mbrojtjen e Lidhjes në Shtimje e Slivovë. Shfaqi qëndresë të patundur ndaj pushtuesit osman, edhe pas shpërndarjes së qeverisë së Lidhjes. Në vitin 1885 organizoi në Kosovë kryengritjen e radhës kundër zgjedhës së huaj. Për aktivitetin e tij atdhetar, Gjykata e Jashtëzakonshme e Prizrenit e dënoi me vdekje, vendim ky që nuk gjeti zbatim, pasi Vokshi u lirua nga burgimi, raporton atsh.
Sulejman Vokshi radhitet ndër udhëheqësit e luftëtarët më ngulmues të popullit shqiptar në luftën për arritjen e sigurimit të unitetit kombëtar e shtetëror. Figura e tij u përjetësua jo vetëm në historiografi, por edhe në këngët popullore historike të asaj periudhe, dramaturgji etj.