Kroacia u mposht nga Argjentina me rezultat 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Botës.
Ballkanikët u gjendën në disavantazh në minutën e 34-të, kur nga pika e bardhë e penalltisë shënoi Lionel Messi.
Penalltinë e nxori sulmuesi i Manchester City-t, Julian Alvarez, i cili u përplas me portierin kroat, Domenik Livakovic, që për kapitenin e kroatëve, Luka Modric-in, nuk kishte të bënte fare me penallti.
Veterani kroat shpërtheu me kritika të ashpra ndaj gjyqtarit italian, Daniele Orsato, derisa tha se ai është një nga arbitrat më të dobët që ai njeh.
“Luanim mirë deri te momenti i penalltisë, që për mua nuk ekzistonte. Zakonisht nuk flas për gjyqtarët, por sot nuk munda mos ta bëj”, tha fillimisht Luka Modric.
“Ai është një nga gjyqtarët më të dobët që njoh dhe nuk po flas vetëm për sot, sepse ai ka arbitruar shumë herë ndeshje ku kam luajtur dhe nuk e mbaj mend mirë. Ky gjyqtar është një fatkeqësi”, shtoi mesfushori kroat.
Në fund, Modric e uroi Argjentinën për kualifikimin tutje, derisa tha se përqendrimi i Kroacisë tani do të jetë për ta fituar vendin e tretë.
Sa i përket ndeshjes së mbrëmshme, dy golat e tjerë u shënuan nga Julian Alvarez. Tani Argjentina e pret në finale fituesin e duelit Francë – Marok.