Nafta në Shpirag/ Prifti: Kërkimet nisën në 80-ën. Ka naftë, por sa nuk e dimë

Kërkimet për naftë e gaz në Shpirag kanë filluar që përpara viteve ’90 nga Instituti i Naftës dhe Gazit.

Për profesor Irakli Priftin, kërkimet nuk përfunduan vetëm për 40 metra.

Në bazë të prognozës që ka bërë Instituti, është veçuar si zonë perspektive vargu që fillon nga Vagalati i Memaliajt deri në Sqepur. Pusi Sqepur-6 e mbaroi shpimin në vitin 1989. Vetëm për gati 40 metra nuk u kap objekti i gëlqerorëve që të dilte naftëmbajtëse,” shpjegon profesor Prifti.

Ndërkohë që pas viteve ’90 kanë vijuar studimet, të cilat kanë përforcuar idenë që në Shpirag ka venddepozitim nafte.

Mbi gëlqerorët objekte naftëmbajtëse të Shpiragut u kap një anomali që tregon se ka grumbullime nafte e gazi. Ky është konkluzioni ynë që nuk e kemi bërë publik,” shton Prifti.

Në zonën e Shpiragut, sipas studimeve, rezultatet më të mira mund të arrihen në Shpirag-5 .

Mendoj se në Shpirag-5 rezultatet mund të jenë më të mira, por se sa, nuk e dimë,” shprehet profesor Prifti.

Kompania shumëkombëshe Shell ka mbyllur fazën e kërkimeve në vendburimin e Shpiragut dhe pritet që në muajin tetor të nisë testin final, nga i cili do të varet edhe vijimi i operacioneve të nxjerrjes së naftës dhe gazit.

Gazetare: Amela Koçerri