Partia e ish-kryeministrit të Bullgarisë, Bojko Borisov, GERB ka paralajmëruar se do të njoftojë partnerët evropian dhe Komisionerin e Zgjerimit të unionit, Oliver Varhely, për atë që ndodhi në kufirin e Maqedonisë së Veriut.
Konkretisht ndalimi i eurodeputetit bullgar, Andrej Kovaçev dhe katër shtetasve tjerë të Bullgarisë.
Sipas GERB bëhet fjalë për masa të palejueshme të autoriteteve të Shkupit.
“Autoritetet e RMV-së bënë aktin e paparë dhe nuk lejuan hyrjen e Shefit të GERB në Parlamentin Evropian. Masat e këtilla të palejueshme si dhe të gjitha veprimet kundër shtetasve bullgar ose kundër qytetarëve të RMV-së që haptazi shprehin identitetin e tyre bullgar, nuk kontribuojnë për integrimin evropian të RMV-së si dhe zhvillimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore midis dy vendeve”, thuhet në komunikatën e publikuar në median sociale Facebook.
Reagim ka pasur edhe nga ministria e Jashtme e Bullgarisë, e cila shprehu zhgënjimin me autoritetet e Shkupit.
“Pala bullgare do ta ngrejë këtë çështje zyrtarisht para autoriteteve të RMV-së por edhe me partnerët tanë ndërkombëtar, pasi ngjarjet e këtilla kanë ndikim negative ndaj marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe përpjekjet e Bullgarisë për të kthyer besimin dhe krijimin e klimës pozitive”.
Nga ana tjetër, ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se pesë shtetasve bullgarë nuk u është lejuar hyrja në vend.
Kjo, për shkak se nuk i kanë plotësuar kushtet konform ligjit për të huajt.
Në sqarimin e policisë thuhet se personat që ofendojnë qytetarët dhe vendin nuk do t`u lejohet hyrja në Maqedoninë e Veriut.