“Nëse Ukraina bie, Putin nuk do të ndalet”, Macron: Duhet të përgatitemi për luftë, nëse duam paqe

Europa duhet të përgatitet për luftë nëse dëshiron paqe! Janë fjalët e presidentit francez Emanuel Macron, i cili paralajmëroi se Vladimir Putin nuk do të ndalet nëse ushtria e Kievit do të mundej, pas më shumë se dy vitesh luftë.

Macron shkaktoi polemika muajin e kaluar kur tha se nuk përjashtonte mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë në të ardhmen e afërt. Kjo zemëroi Moskën dhe detyroi një sërë liderësh të distancoheshin nga një pohim i tillë.

“Nëse Rusia e fiton këtë luftë, besueshmëria e Europës do të reduktohet në zero. Çfarë kredibiliteti do të kishim ne në tokën tonë të pushtetit, në BE, nëse e lejojmë këtë të ndodhë”, u shpreh Macron.

Ai tha se Franca ishte e gatshme të vepronte nëse lufta e Rusisë përshkallëzon, dhe i bëri thirrje Europës të mos vendoste vija të kuqe, diçka që sipas tij do të sinjalizonte dobësi ndaj Kremlinit dhe do ta inkurajonte atë të avanconte me pushtimin e Ukrainës.

Macron refuzoi të jepte detaje mbi idenë e tij, të dërgimit të trupave por tha tha se Parisi nuk do të niste kurrë një ofensivë kundër Moskës.

“Dy vite më parë ne thamë se nuk do të dërgonim tanke, por e bëmë. Dy vite më parë thamë se nuk do të dërgonim raketa me rreze të mesme, po pastaj e bëmë. Kemi vendosur shumë limite në fjalorin tonë. Ne nuk jemi në luftë me Rusinë, por duhet të jemi të qartë se nuk mund ta lemë atë të fitojë”, theksoi ai.

Kreu i Elizesë shtoi më tej se Ukraina ishte në një situatë të vështirë në fushëbetejë dhe se nevojitej më shumë mbështetje nga aleatët. Ai tha gjithashtu se shpresonte se do te vinte dita për të negociuar paqen me një president rus, kushdo qoftë ai, duke ju referuar për herë të parë mundësisë së largimit të putin nga pushteti.