Netanyahu paralajmëron operacione në Rafah, thotë se aleatët po kanë kujtesë të shkurtër

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se komuniteti ndërkombëtar “po përpiqet ta ndalojë luftën para se të arrihen qëllimet”, raporton “Jerusalem Post”.

Netanyahu ka thënë se Izraeli do të operojë në Rafah.

“Ne do të operojmë në Rafah. Do të duhen disa javë, por do të ndodhë”, tha Netanyahu në fillim të mbledhjes së qeverisë izraelite të dielën. “Disa në komunitetin ndërkombëtar po përpiqen të ndalojnë luftën përpara se të arrihen të gjitha qëllimet e saja. E bëjnë këtë duke bërë akuza të rreme kundër Ushtrisë së Izraelit, kundër Qeverisë izraelite dhe kundër kryeministrit izraelit”.

Izraelit i është bërë thirrje të mos fillojë ofensivën në Rafah, ku janë strehuar rreth 1.4 milionë palestinezë që janë zhvendosur nga pjesët tjera të Rripit të Gazës.

Netanyahu ka thënë se ndërkombëtarët po synojnë “të sjellin zgjedhje” në Izrael.

“Ata e bëjnë këtë duke tentuar që të sjellin zgjedhje të reja tash, në mesin e luftës. E bëjnë këtë pasi e dinë se zgjedhjet tash do ta ndalin luftën dhe do ta paralizojnë vendin për të paktën gjashtë muaj”, ka thënë Netanyahu.

Netenyahu ka thënë se ndërkombëtarët kanë kujtesë të shkurtër sa i përket sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.

“Për miqtë tanë ndërkombëtar do të thosha: a është kujtesa e juaj aq e shkurtër? Aq shpejt harruat 7 tetorit, masakrën më të rëndë të kryer kundër hebrenjve që nga Holokausti? Aq shpejt jeni të gatshëm të mohoni të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten kundër monstrave të Hamasit?” – ka pyetur Netanyahu.

Militantët e Hamasit u futën në jug të Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë mbi 1200 persona e marrë rreth 240 pengje.

Në kundërpërgjigje Izraeli nisi ofensivën në Gaza, që deri më tash ka shkaktuar mbi 31 mijë viktima, kryesisht gra e fëmijë, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazas.

Zyra e Netanyahut ka thënë se Ushtria e Izraelit po i përgatit “çështjet operacionale” dhe evakuimin e popullatës civile nga Rafah.

E kancelari gjerman Olaf Scholz ka paralajmërua se një sulm izraelit në Rafah do ta bënte paqen rajonale “shumë të vështirë”.

Ai ka folur para takimit që pritet ta ketë me Netanyahun të dielën pasdite.

“Izraeli ka çdo të drejtë ta mbrojë veten. Në të njëjtën kohë, nuk mundet që ata që u zhvendosën në Rafah nga Gaza të kërcënohen drejtpërdrejt nga çfarëdo veprimi apo operimi ushtarak që ndërmerret”, ka thënë Scholz.