Nis viti i ri shkollor në Kosovë

Sot në Kosovë nis viti i ri shkollor në arsimin parauniversitar.

Për dallim nga vitet e kaluara sivjet përgjegjësia për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit u është bartur prindërve, por që mjetet për blerjen e tyre do të ndahen nga Qeveria e Kosovës.

Javën e shkuar, Ministria e Arsimit ka njoftuar për ndarjen nga 80 euro për prindërit e nxënësve të klasave nga e para deri në të pestën për t’i blerë librat shkollorë.

Procesi është përcjellë me debat të madh në publik, ndërsa së fundmi qytetarët janë ankuar se pagesa për libra po u mbërrin gati në 80 euro, dhe se ato nuk mund të vlejnë edhe për furnizim me materiale të tjera shkollore, siç thoshte ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ndërkohë të enjten, një ditë para fillimit të procesit mësimor Nagavci ka njoftuar se kanë përfunduar procedurat e pagesës për blerje të librave shkollorë për 81 mijë përfitues.

Sipas saj, në këtë grup hyjnë prindërit që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore.

Ajo ka bërë të ditur se numri i tërësishëm i aplikimeve është mbi 115 mijë dhe se pjesa tjetër do të trajtohet me grupin e radhës.

Nagavci ka shtuar se janë identifikuar vetëm 75 raste me gabime nga prindërit gjatë aplikimit. Ka thënë se ata do të njoftohen për rishikimet e nevojshme.

Të mërkurën, Qeveria ndau afro 13 milionë euro për këtë subvencionim. Aplikimi do të jetë i hapur gjatë tërë shtatorit.