Një i vrarë dhe një i vetëvrarë me armë zjarri në Korçë

Dy të vdekur është bilanci tragjik i një ngjarje të rëndë që vjen mbrëmjen e kësaj të mërkure nga qyteti i Korçës.

Fillimisht u raportua për një person të vrarë, trupi i të cilit u gjet në afërsi të një hoteli, në lagjen numër 10 të këtij qyteti, ndërsa një tjetër kishte mbetur i plagosur. Por gazetarja Daniela Zisi raporton se edhe ky i fundit ka ndërruar jetë.

Paraprakisht dyshohet se personi i cili është gjetur i pajetë ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një tjetri, duke e lënë të plagosur. Më pas, autori i dyshuar e ka drejtuar armën nga vetja duke u vetëvrarë.

Gazetarja Zisi mëson se i vrarë ka mbetur Emiljano Pine. Sa i takon viktimës tjetër, identiteti i tij nuk dihen ende. Mister janë si rrethanat, ashtu sikurse motivet.

Gazetarja Daniela Zisi, duke iu referuar dëshmive nga vendi i ngjarjes thotë se paraprakisht autori i dyshuar, rreth 35-40 vjeç, ka qëlluar të paktën 4 herë me pistoletë në drejtim të Pines.

I plagosuri sipas gazetares u dërgua me urgjencë drejt spitalit, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë.

Theksojmë se të dhënat në fjalë janë paraprake dhe mund të ndryshojnë. Në vendin e ngjarjes ka shkuar policia. Më shumë të detaje do t’ju përcjellim në vijim.