Një rus në Beograd, leksion serbëve: Të udhëhiqesh nga një psikopat!

Menjëherë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, autori komik Gleb Pushev publikoi në rrjetet sociale një karikaturë të presidentit rus Vladimir Putin me rroba të përgjakur, me thikë në dorë, duke thënë: “Rusë, ndaloni maniakun!”.

Ishte e frikshme të bësh postime të tilla edhe para pushtimit, thotë ai në një intervistë për Al Jazeera, duke pranuar se nuk e kishte të lehtë ta bënte atë karikaturë dhe se u fsheh për ditë të tëra nga frika e represionit dhe ndëshkimit nga shteti. Por, thekson ai, duhej të vepronte dhe të bënte diçka.

“Bota e vjetër u shemb, miqtë tanë në Ukrainë u goditën me raketa… Në ato momente kisha një numër të konsiderueshëm ndjekësish në internet dhe ndjeja përgjegjësi ndaj tyre. Për mua ishte e rëndësishme që njerëzit të shihnin se unë nuk e mbështes krimin e Putinit dhe besoja se lufta do të ndalej nëse do ta kundërshtonim hapur”, shpjegon ai.

“Unë u motivova nga turpi dhe dhimbja që po përjetoj për shkak të asaj që po bën shteti rus, pjesë e të cilit jam edhe unë”, thekson ai.

Nga frika e arrestimit, shtatë ditë më vonë ai dhe gruaja e tij mbërritën në Beograd, ku ai vazhdoi të karikaturonte kundër luftës dhe të ngrinte zërin kundër agresionit rus kundër Ukrainës përmes artit.