“Nuk e kallëzojnë prej mentalitetit”, Balla në Opinion: Gratë që denoncojnë dhunën, t’i konsiderojmë heroina

Rasti tragjik i Shkodrës ku mamaja është vetëmbytur me 3 fëmijët e saj ka tronditur opinionin publik. Për këtë ngjarje është arrestuar babai, i cili dyshohet se ka shtyrë gruan drejt vetëvrasjes.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, gjatë emisionit Opinion bëri thirrje që gratë ta denoncojnë dhunën pasi pjesa më e madhe sipas tij nuk e bëjnë këtë gjë për shkak të mentalitetit.

“Dua ta shfrytëzoj për ti bërë një apel gjithë shoqërisë sonë. Pjesa më e madhe e viktimave nuk e denoncojnë sepse mendojnë se duan t’i shpëtojnë stigmatizimit, duan t’i shpëtojnë mentalitetit, asaj që do të thotë shoqëria sepse po denoncove burrin që ushtron dhunë… Dua të sqaroj diçka, nuk është e thënë të jetë vetëm dhunë fizike. Duhet të nxisim çdo vajzë dhe grua që ta denoncojë atë”, tha Balla.

Balla u shpreh se vajzat që denoncojnë dhunën duhet të konsiderohen si heroina. Sipas tij, duhen mbështetur më shumë strehëzat për femrat e dhunuara.

“Prandaj na duhet që ta flasim më shumë. Na duhet që vajzat dhe gratë që denoncojnë t’i konsiderojmë heroina, t’i konsiderojmë shembuj suksesi dhe pozitivë. Prandaj duhet shumë që mos të harxhojmë shumë kohë me histori konferencash nëpër hotele, apo simpoziume, por ajo që na duhet është të mbështesim sa më shumë strehëzat. Dy ditë më parë kam qenë në një prej këtyre strehëzave ku janë 12 vajza dhe gra dhe tani janë bërë gati të kalojnë në fazën tjetër të integrimit ku duhet t’u gjejmë një shtëpi të re, një punë të re, në mënyrë që këto vajza të fillojnë një jetë të re, mundësisht të gjejnë një bashkëshort të ri, për të treguar se përtej këtij momenti të vështirë ekziston një jetë më e mirë”, tha Balla.