‘Paguhem 30 mijë lekë në muaj’, Ernest Muçi i pesë viteve më parë dhe kontrata 1.8 mln euro në sezon me Besiktas

Ernest Muçi, sulmuesi i Kombëtares nga sot është pjesë e Besiktas. Klubi turk pagoi 8 milionë euro në arkat e Legias së Vatshavës për të bërë të vetin 22-vjeçarin.

Shkurti padyshim mund të quhet muaji i dashurisë për Muçin. Ndodhi në 2021, kur në 23 të muajit të dytë të vitit, asokohe ai linte Tiranën për t’u bashkuar me polakët për vetëm 500 mijë euro.

Tanimë po në muajin e dytë të vitit, por tre vite më vonë, Muçi largohet nga Legia duke pasuruar jo vetëm polakët, por edhe Tiranën. Bardheblutë kanë pasur 10 përqind të vlerës së kartonit të sulmuesit, teksa do arkëtojnë fillimisht 800 mijë euro nga lëvizja e sotme e djaloshit kuqezi.

Veç shumës prej tetë milionë eurosh, Legia mund të arkëtojë edhe 2 milionë euro në formë bonuesesh. Këto lidhen me fitimim e titullit, pjesëmarrjen e Muçit dhe minutat e tij në Champions League dhe sigurisht golat, të paktën dhjetë në sezon.

Për 3.5 vitet e ardhshme Muçi do jetë i lidhur me Besiktas, duke u bërë ndër lojtarët më të shtrenjtë që lëviz nga kampionati polak drejt një aventure të re. Kontrata me Legian skadonte në 2025 dhe Muçi nuk ishte ende i sigurt për rinovimin.

Prapaskenat? Besiktas pak ditë më parë ofroi 6.5 milionë euro, me Legian që e refuzoi. Sot, akordi u gjet për 8 milionë euro plus 2 mln euro bonuse. Tanimë Muçi mund të quhet një milioner, pasi në kontratën e firmosur rroga e tij sezonale do jetë 1.8 milionë euro.

Pesë vite më parë, kur ishte pjesë e Tiranës dhe ylli i tij kishte nisur të shkëlqente, në një intervistë për Supersport, Muçi tregonte se e kishte rrogën 30 mijë lekë (të rinj).Po po, 30 mijë lekë. Epo të shënosh me fanellën e Legias ndryshon puna.