Çfarë është Lufta e Tretë Botërore dhe si do të zhvillohet ajo, apo kush do të marrë aktivisht pjesë në të?
Këto kanë qenë pyetje, të cilat i kanë munduar të gjithë personalitetet e shquara botërore, që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore në mesin e viteve 40’, ku frika e një rikthimi për aktin e tretë, nuk mungonte.
Në fakt, në ditët e sotme, vështirë është sërish të imagjinohet se si një e tillë mund të zhvillohet, me teori që prej bombave të fuqishme atomike, luftës biologjike, apo elementëve të tjerë deri diku konspirativë, me armë imagjinare në mendje.
Për më tepër, pakkush do ta imagjinonte se në vitin 2022, një luftë e mirëfilltë e shkallës së gjerë do të zinte vend në kontinentin e vjetër e Evropës, ku edhe dy luftërat e para kanë pasur sheshbetejat më të mëdha.
Agresioni rus në Ukrainë i zhbëri pritshmëritë e të gjithëve për një paqe afatgjatë e mbizotëruese, duke e rikthyer frikën në radhët e të shumtëve, por sërish ajo nuk është piketuar si një luftë e mirëfilltë botërore, duke qenë se nuk ka përfshirë ushtarakisht të gjitha palët dhe zhvillohet në aksione territoriale margjinale.
Por, kërcënimi i armëve bërthamore nuk ka munguar në kursin e më shumë se një viti, më së shumti artikuluar nga ana e Rusisë, duke i vënë ato edhe “në gatishmëri” pranë kufirit me Ukrainën.
Kështu, të bie ndërmend fare mirë një shprehje e një prej mendjeve më të mprehta në historinë e njerëzit, personit të shekullit të kaluar, Albert Einstein, i cili e kishte tepër të qartë se si gjithçka do të rridhte!
“Unë nuk e di se si Lufta e Tretë Botërore do të luftohet, por e katërta, nuk kam dyshim se do të jetë me gurë dhe shkopinj”.
Është një frazë e polemizuar nëse fizikani i madh vërtetë e ka artikuluar, por ajo e kap thjeshtësisht frikshëm esencën e asaj çfarë mund të ndodhë.
Është fakt tashmë se disa shtete kanë fuqi ushtarake të jashtëzakonshme, me armë kimike e bërthamore të shkatërrimit në masë, të cilat provat e fuqisë i kanë dhënë me hedhjet në Hiroshima dhe Nagasaki e sot, 80 vjet më pas, shumë më të sofistikuara dhe të gjera, rrezikojnë të shuajnë gjithçka.
Aq sa, për një luftë tjetër të mundshme në fakt, të mbeten vetëm gurët e kësaj toke dhe shkopinj.
E thënë kjo nga mendja e personit që tërthorazi e ka “ideuar” bombën atomike, falë iniciativës fillestare dhe për shkak të zbulimit të madh të ekuacionit E=mc2, gjithçka bëhet edhe më tmerruese.
Sytë e botës mbeten ndërkaq pikërisht në Ukrainë, por vëmendja e vërtetë duhet të përqendrohet tek retorika e SHBA-ve kundrejt Kinës dhe anasjelltas, pasi dy lojtaret e vërteta të gjithë kësaj beteje, janë pikërisht ato, me gurët aktualisht në Perëndim dhe shkopinjtë, në Lindje, me të drejtë eventuale rokade…