Turistët italianë janë bërë sërish protagonistë në mediet ndërkombëtare.
Ata janë larguar nga një restorant në Maltë pa paguar faturën.
Media italiane shkruan: “Duket tashmë si normë. Klientët hanë vaktin e tyre në restorant, pastaj ikin pa paguar faturën. Pas sikletit në Shqipëri, ku ishte kryeministrja Meloni ajo që pagoi faturën nga xhepi, këtë herë grupi i italianëve nuk pagoi në Maltë. Ngjarja ndodhi në Msida më 25 gusht. Por këtë herë “dinakët” nuk ia kanë dalë dot.”
Arratisja
Me justifikimin e pirjes së një cigareje, grupi i të rinjve u ngrit nga tavolina në «Pasta & Co» dhe u largua.
Ata u arratisën ndërsa fatura prej 100 eurosh mbeti e pa paguar.
Një nga pronarët, një italian, njohu theksin sicilian të klientëve, ndaj kontaktoi gazetat lokale për të gjetur fajtorët. Dhe lëvizja u shpërblye.
Babai i njeh
Babai i njërit prej të rinjve, që u larguan nga restoranti, njohu të birin nga gazetat, pavarësisht se fytyra e tyre ishte e mbuluar.
“Ai më telefonoi duke më kërkuar të dhënat e mia për të paguar shumën e duhur”, thotë pronari i restorantit për Corriere.
Më tha se djali i tij u pendua menjëherë, po qante me të madhe. I thashë se e vlerësoja shumë gjestin e tij, se ishte njeri i ndershëm dhe baba shembullor, por nuk kishte nevojë të shlyente një faturë 100 euro.
Por ai vazhdoi të insistonte, ndaj i propozova t’ia dhuroja shumën Arkës, një organizatë në ishullin Gozo që kujdeset për personat me aftësi të kufizuara. Ideja ime i bëri shumë përshtypje dhe në fund më telefonoi duke më njoftuar se kishte dhuruar 250 euro.
Ne u kthyem më pas në polici dhe e tërhoqëm ankesën, përfundon pronari i lokalit.