Profesor Pëllumb Xhufi thotë se qeveria aktuale greke është antishqiptare. I ftuar në Shqip nga Dritan Hila në Dritare TV, historiani Xhufi foli për Konstantinos Mitsotakis për të cilin tha se ka qenë një figurë që solli shumë konflikte mes dy vendeve, frymë që e trashëgon edhe i biri, Kyriakos Mitsotakis.
“Konstantinos Mitsotakis ka qenë një figurë e zymtë shumë në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Ka luajtur një rol jashtëzakonisht negativ, shumë cinik dhe ka bërë tentativa jo vetëm ndaj Shqipërisë por edhe Maqedonisë së Veriut në fillim të viteve ’90. Ai propozoi hapur ndarjen e Maqedonisë së Veriut, mes Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë.
Edhe Kyriakos Mitsotakis e ka me tepri këtë frymë të të atit. Por në fund të fundit kjo nuk është personale.
Kjo qeveri për mua është anti-shqiptare. Për një kryetar bashkie i cili është proceduar nga gjykatat greke, është arrestuar nga policia greke në vitin 1994, i është nënshtruar një gjykimi për terrorizëm, për vrasjen e tre oficerëve të ushtrisë shqiptare, është krijuar një konflikt i madh mes dy vendeve. Kjo tregon qartë pozicionin e qeverisë greke, ndaj Shqipërisë”, u shpreh Xhufi .