Publikohen fotografitë e dy të dyshuarve për vrasjen e boksierit Besar Nimani

Policia gjermane në Bielefeld ka publikuar fotografitë e dy të dyshuarve për vrasjen e boksierit shqiptar, Besar Nimani.

Nimani është vrarë të shtunën mbrëma në Bielefeld të Gjermanisë, ndërsa të dyshuar janë dy 33-vjeçarë. Bëhet fjalë për Aymun Dawoud Kirit dhe Huseyin Akkurt.

“Kirit dhe Akkurt janë të dyshuar për vrasjen e 38-vjeçarit në rrugë në Bielefeld, të shtunën. Në kuadër të hetimeve, dy 33-vjeçarët nga Bielefeldi shpejt janë bërë fokus i hetuesve. Shtëpitë e personave të kërkuar janë bastisur nga njësitë speciale në natën e krimit. Bastisjet shtesë të bëra të hënën po ashtu nuk kanë vënë në kontroll dy të dyshuarit. Ata janë në arrati. Kujdes! Ata mund të jenë të armatosur”, shkruan në komunikatën e policisë gjermane.

Departamenti i Hetimeve ka kërkuar ndihmë nga mediat dhe publiku për zbulimin e dy të dyshuarve për vrasjen e Nimanit. Besar Nimani do të varroset të enjten në Bielefeld.