Putini pritet t’i hakmerret keq shefit të mercenarëve të Wagner, pasi miku i tij prej kohësh “kaloi vijën e kuqe duke përdorur fjalën ‘i neveritshëm’”

Vladimir Putin është gati të përdorë shërbimet e tij brutale të sigurisë për të ‘ndaluar’ mikun e tij prej kohësh Yevgeny Prigozhin, që njihet si kreu i ushtrisë private Wagner, thotë një raport i ri.

Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shefi i forcës mercenare dukej se e quajti diktatorin 70-vjeçar si ‘të neveritshëm’ mes raporteve se nga vijat e para të luftës në Ukrainë ka një tërheqjeje ruse dhe fitimeve të Ukrainës rreth qytetit të rrethuar të Bakhmutit.

Por siç shkruan Daily Mail, Prigozhin la të kuptohej më vonë se sulmi i tij kishte për qëllim në fakt shefin e shtabit të ushtrisë së përgjithshme të Putinit, Valery Gerasimov, 67 vjeç, të cilin ai e fajëson për mungesën e municioneve në front.

Po sipas këtij mediumi, një objektiv tjetër i mundshëm ishte ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu, gjithashtu 67 vjeç, por shumë besojnë se ai kishte për qëllim drejtpërdrejt Putinin.

Ndërkohë gazeta e pavarur e lajmeve Meduza raportoi se burimet e saj në Kremlin thonë se Prigozhin tani ka kaluar ‘vijën e kuqe’ në sulmet e tij të përsëritura ndaj zyrtarëve të lartë të Putinit dhe dështimet e tyre për t’u dhënë municion luftëtarëve të tij për të marrë Bakhmutin.

“Nëse kjo vazhdon, forcat zyrtare të sigurisë me siguri do ta ndalin atë”, ka thënë një burim pranë Kremlinit, raportoi Meduza.

Ishte e paqartë nëse kjo do të thoshte likuidim – një fat i shumë armiqve të Putinit – ose arrestim, ndoshta për tradhti, gjë që mund ta çonte miliarderin 61-vjeçar në burg deri në 21 vjet.

Raporti thotë se agjencitë e propagandës së Moskës kanë marrë tashmë një ‘paralajmërim’ nga administrata e Putinit se nëse Prigozhin vazhdon të kritikojë Ministrinë e Mbrojtjes dhe të raportojë ‘dështime në front’, gazetarët duhet të fillojnë ‘ta portretizojnë atë si një tradhtar’.

Ndryshe, ai ka kërcënuar se do të tërhiqet nga Bakhmut nëse kërkesat e tij për municion nuk plotësohen.

Ndërkohë Prigozhin thuhet se ka ende aftësinë ‘për të hyrë në dialog të drejtpërdrejtë me presidentin’, mentorin e tij. Por burime të tjera thonë se Putin nuk u përgjigjet thirrjeve të tij.

Shefi i Wagner – forcat mercenare të të cilit veprojnë jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Afrikë dhe Siri – shihet si i mbrojtur nga miqtë e ngushtë të Putinit, gjenerali Viktor Zolotov, kreu i gardës kombëtare ruse, dhe guvernatori i Tula, Alexey Dyumin, dikur truproje i diktatorit dhe konsiderohet si një pasardhës i mundshëm si president.