Qeveria e re serbe, plot me “spiunë”, Vuçeviç kthen Vulinin e sanksionuar dhe të sapodekoruar nga Putin

Kryeministri i mandatuar i Serbisë, Millosh Vuçeviç, prezantoi përbërjen e re të qeverisë së tij. Ajo që bie në sy është rikthimi i Aleksandër Vulin, i cili do të mbajë postin e zëvendëskryeministrit.

Ish-kryespiuni serb, u largua nga të gjitha funksionet, vitin e kaluar, pasi Thesari Amerikan e përfshiu atë në listën e zezë, duke e sanksionuar për shkak të politikave destabilizuese në Ballkan, por edhe bizneseve të paligjshme me kriminelë.

Pavarësisht se është i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara, Vulin është tepër i dëshiruar nga Rusia, me presidentin Vladimir Putin që e dekoroi atë me urdhrin e miqësisë, këtë janar.

Nuk dihet nëse rikthimi i tij në qeverinë serbe ka lidhje me ndonjë ndikim nga Moska drejt Beogradit zyrtar. Për ministër të Jashtëm, Vuçeviç zgjodhi këtë personazh.

Bëhet fjalë për Marko Gjuriç, që mban postin e ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai është një personazh mjaft i njohur në Kosovë, pasi tentoi të sfidonte autoritetet duke hyrë ilegalisht kur mbante postin e drejtorit të të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe.

Ivica Daçiç është shpërblyer me postin e ministrit të Brendshëm, pavarësisht se në zgjedhjet e fundit mori një rezultat tepër të dobët.

Për ta pasuar në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes, Vuçeviç ka zgjedhur Bratislav Gashiç. Ky i fundit ka udhëhequr Agjencinë e Inteligjencës dhe të Sigurisë për 5 vite.

Vuçeviç gjatë prezantimit të emrave, nënvizoi se qeveria e re do të ruajë interesat kombëtare.