“Raiffeisen Bank” rrezikon mbylljen në SHBA, Banka Evropiane ultimatum të shkëputet urgjent nga Rusia

Pas paralajmërimeve të SHBA, vihet në lëvizje Banka Qendrore Evropiane…

Banka Qendrore Evropiane u ka dhë ultimatum të gjitha bankave të Eurozonës me degë në Rusi, që të përshpejtojnë planet e tyre të tërheqjes, për shkak të frikës se mund të goditen nga masat ndëshkuese të SHBA.

BQE u ka shkruar huadhënësve javët e fundit duke kërkuar plane të detajuara mbi strategjitë e tyre të daljes, sipas disa burimeve. Huadhënësit duhet t’i ofrojnë rregullatorit një “plan veprimi” për biznesin e tyre rus që në qershor.

Javën e kaluar, “Raiffeisen Bank” e Austrisë u detyrua të braktisë një marrëveshje për shkëmbimin e aktiveve në Rusi me ato në Evropë pas presionit nga autoritetet amerikane. Ndërhyrja e SHBA-së ka shkaktuar shqetësim tek BQE se RBI dhe huadhënësit e tjerë mund të jenë në shënjestër në ditët në vijim.

“Kjo mund të çojë në dëmtim serioz në sistemin bankar nëse autoritetet amerikane marrin sanksione”, tha një person i informuar për qëndrimin e BQE.

Shkresat nënvizojnë presionin në rritje nga Uashingtoni mbi grupet evropiane që mund të mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë më shumë se dy vjet pas pushtimit.

“Përgjigja e BQE-së ndaj ndërhyrjeve të SHBA-së tregon varësinë e madhe të Evropës nga SHBA-ja”, tha një këshilltar i bankave me filialet ruse. “Ne jemi më shumë ndjekës sesa udhëheqës në gjykimet që përfshijnë kompanitë evropiane”, vijoi ai.

Thesari i SHBA-së nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Personi i informuar për pozicionin e BQE-së tha se mbikëqyrësit atje donin të shmangnin që bankat evropiane të përballeshin me një fat të ngjashëm si ABLV, një bankë letoneze që u mbyll pasi departamenti i Thesarit të SHBA-së e akuzoi atë për “pastrim parash të institucionalizuar”, si dhe shkelje të sanksioneve të Koresë së Veriut. Më pas ndërpreu aksesin e saj në sistemin financiar të SHBA në 2018.

Letrat nga BQE janë shkruar me nivele të ndryshme ashpërsie, varësisht nga sa e avancuar është secila bankë në tërheqjen nga Rusia, sipas njerëzve me njohuri për përmbajtjen e tyre. Banka qendrore u ka bërë thirrje bankave të Eurozonës që të kërkojnë një dalje nga Rusia që kur Moska filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Raiffeisen Bank, e cila ka ekspozimin më të madh ndaj Rusisë, i është thënë të zvogëlojë kreditimin e saj në vend me dy të tretat nga niveli aktual deri në vitin 2026. Banka, e cila përballet me gjoba të mundshme nga BQE nëse ajo dështon të përmbushë, tashmë ka tkurrur rezervën e saj të huave ruse me 56 për qind që nga fillimi i luftës.

Ndërkohë, bankave të tjera duke përfshirë UniCredit të Italisë – huadhënësi me ekspozimin e dytë më të madh – u është kërkuar t’i ofrojnë BQE-së një përmbledhje të detajuar të planeve të tyre për operacionet e tyre. UniCredit i është dhënë një afat deri më 1 qershor për t’u përgjigjur. BQE nuk pranoi të komentojë.

UniCredit dhe OTP – banka hungareze që nuk është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të BQE – vitin e kaluar kanë filluar të riatdhesojnë fitimet nga filialet e tyre ruse në formën e pagesave tremujore të dividentëve.

Vitin e kaluar, UniCredit mori 137 milionë euro nga dega e saj ruse, ndërsa OTP mori 135 milionë euro. UniCredit nuk pranoi të komentojë. OTP tha se dividentët e riatdhesuar ishin pjesë e përpjekjeve të saj për të zvogëluar praninë e saj në Rusi.

Fitimet e bllokuara të RBI fillimisht synoheshin të riatdhesoheshin si pjesë e marrëveshjes së planifikuar të shkëmbimit të aseteve prej 1.5 miliardë eurosh. Banka e braktisi marrëveshjen këtë muaj pasi Thesari i SHBA-së paralajmëroi huadhënësin se rrezikonte të shkëputej nga sistemi financiar i SHBA-së nëse do të vazhdonte.

Autoritetet amerikane janë gjithashtu të shqetësuara për raportet e fundit nga Financial Times për zgjerimin e Raiffeisen në Rusi. Banka publikoi 2,400 shpallje pune midis dhjetorit dhe mesit të prillit, shumë prej të cilave deklaruan se banka po kërkonte të rritej në vend. /Përshtati “Pamfleti” nga “Finacial Times”