Εκδήλωση με ομιλία του πρωθυπουργού της Αλβανίας Έντι Ράμα ενόψει των εθνικών εκλογών του 2025, στο Κλειστό Γυμναστήριο Γαλατσίου στην Αθήνα, Κυριακή 12 Μαΐου 2024. (ΜΙΧΑΛΗΣ ΚΑΡΑΓΙΑΝΝΗΣ/EUROKINISSI)

Rama në Athinë: Greqia hoqi ligjin e luftës me Italinë me ne e mban! Absurditet, t’i zgjidhim çështjet si europianë jo si ballkanas

Mes shqiptarëve që kishin mbushur plot sallën “Christmas Theater” në stadiumin ‘Galatsi’ në Athinë, dhe flamujve kuq e zi që valëviteshin kryeministri Edi Rama nisi sot (12 maj 2024) turin e takimeve me diasporën që do të vijojë më pas në shtete të tjera ku ka shumë shqiptar.

Tubimi nisi me himnin shqiptar dhe atë të Bashkimit Europian ndërsa në fjalimin që zgjati gati 1 orë kryeministri shqiptar bëri thirrje për një histori të re të marrëdhënieve Shqipëri – Greqi ku çështjet e mbetura pezull mes dy shteteve fqinje të zgjidhen si europianë dhe jo si ballkanas syleshë.

Duke nisur nga heqja e ligjit të luftës dhe pasojat e këtij ligji.

” Po iku edhe shekulli XX, po vjen mesi i dekadës së tretë të XXI, dhe në vend se Shqipëria dhe Greqia të ishin sot një kundërpeshë triumfi e fqinjësisë së kthyer në një aset strategjik, gjeopolitik në panoramën e Ballkanit dhe një shembull tërheqës për të gjithë fqinjët e tjerë … në tryezën e marrëdhënieve tona ndërshtetërore, rri akoma në fuqi ligji i luftës së Greqisë me Shqipërinë.  Ai ligj i 10 nëntorit 1940 përcakton ç’bëhet me pronat dhe me shtetasit e vendeve në gjendje lufte dhe po atë ditë me dekret mbretëror ligjërohet që gjendja e luftës më Italinë dhe me Shqipërinë. Në vitin 1947 Greqia ratifikon traktatin e paqes me Italinë dhe gjendja e luftës mbaron. Ndërsa me Shqipërinë dekreti i gjendjes së luftës dhe për rrjedhojë pasojat e ligjit të luftës, mbeten në fuqi sot e gjithë ditën megjithëse në vitin 1998 të dyja shtetet kanë miratuar traktatin e miqësisë. Po si ka mundësi në mes dy shtetesh që kanë nënshkruar një traktat miqësie, që janë bashkë në NATO prej 15 vjetësh, të mos jetë shfuqizuar akoma gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë? tha Rama.

Për minoritetin grek në Shqipëri pranoi se kanë probleme aq sa kanë të gjithë shqiptarët, por theksoi fort se kurrë nuk i është mohuar e drejta e gjuhës, pronës apo besimit.

Ata grekët e Shqipërisë kanë halle, kanë probleme pa diskutim. Ne duhet dhe do të bëjmë ende më shumë për ta, por e vërteta e madhe jashtë fushës së vogël të lojërave politike me topin katror ballkanik është se asnjë hall dhe asnjë problem i tyri nuk është i ndryshëm nga hallet dhe problemet e gjithë qytetarëve shqiptarë. Nuk i është mohuar asnjëherë e drejta e besimit, e gjuhës apo e pronës. Kurrë, asnjëherë dhe në asnjë rast. Kurrë në asnjë rast nuk i është mohuar e drejta e votës apo e zgjedhjes për shkak të origjinës së tyre etnike.

Ngriti zërin dhe për respektim dhe kujdes reciprok që shteti grek duhet të bëjë shqiptarëve atje.

Ju erdhët luftuat dhe fituat. Mos e harroni kurrë me ligj dhe me zakon Greqia është sot edhe e juaja po aq sa është e vetë grekëve. Bashkë me grekët ju shqiptarët jeni europianët e Greqisë.  Shqipëria nuk ka asnjë pretendim tjetër ndaj Greqisë përveç respektit reciprok, kujdesit reciprok për bashkëkombësit që jetojnë në të dy shtetet tona, marrëdhënieve reciproke të miqësisë dhe të fqinjësisë së mirë dhe jo vetëm kaq.

E në kohën kur jetojmë qeveritë e dy vendeve duhet të ulen të zgjidhin çështjet që të mos zvarriten më, për tu kthyer në ‘mollë sherri’ sa “herë hapen tezgat e pazareve elektorale” .

“Kemi 30 vjet ku duket sikur mezi presim të djegim jorganin për një plesht. Mund të kishim mbjellë, korrur në këto 30 vite shumë më tepër fryte sukses të përbashkët, si fqinj, miq, si aleatë, duke përdorur mundësitë, pasuritë energjitë tona, për të rritur mirëqenien e dy popujve tanë.   Vendimmarrësit e këtij vendi sot e kanë të plotë vetëdijen se Greqia ka nevojë për ju njësoj siç ju keni nevojë për Greqinë. Greqia dhe shqiptarët e Greqisë janë bërë të pazëvendësueshëm për njëri-tjetrin. Kush akoma e dyshon këtë të vërtetë, dyshon diellin që lind çdo ditë ndërsa kush i kundërvihet kësaj të vërtete, i bie me kokë pasqyrës kur sheh vetëm veten‘ tha Rama.