Rama i çon mesazh Mitsotakisit me fjalët e Naim Frashërit: Është koha e lirisë, të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë

Në mbyllje të takimit të tij me emigrantët shqiptarë në Athinë, Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një mesazh homologut të tij grek Kyriakos Mitsotakis, duke recituar poezinë e poetit shqiptar Naim Frashëri.

Përmes kësaj poezie, Kryeministri Rama bëri thirrje për të parë drejt të ardhmes dhe për të jetuar në paqe shqiptarët dhe grekët, si dy popuj fqinjë.

“Përpara se të largohem dhe në pamundësi ta takoj, dëshiroj që dhe në emrin tuaj t’i lë një pusullë mikut tim të zgjedhur nga populli i këtij vendi, Kryeministrit Mitsotakis. I dashur Kyriakos, në vitin 1886, poeti ynë kombëtar Naim Frashëri shkruajti në greqisht vjershën e tij “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”.

Duam me të gjithë fqinjët sllavë dhe grekë të jetojmë në harmoni, në vëllazërim, me rend dhe paqe të jetojmë, le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi, mjaftojnë vuajtjet e shumta dhe tiranitë që kemi kaluar, është koha e mirëqenies, është e lirisë, shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë. Rroftë Shqipëria, rroftë Greqia, rroftë Europa demokratike. Zoti i bekoftë shqiptarët dhe vëllezërit e tyre grekë dhe hap një faqe të re vëllazërie”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.