Rama paralajmëron sanksione të rënda: Bashkësia ndërkombëtare gishtin te butoni ndaj Kosovës

Jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, masave shtërnguse se sanksione nuk ma nxë goja, ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit. Ishte kjo deklarata e kryeministrit Rama në një konferencë urgjente për mediat ku konfirmoi anulimin e mbledhjes midis dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Kam bërë një përpjekje për t’i kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën do të vihet në lëvizje,” – u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se halli s’është i Albin Kurtit, por i Kosovës dhe kombit shqiptar që rrezikon të dalë në një dritë jo të mirë në sytë e atyre që e kanë bërë këtë komb të jetë në ditët më të mira të vetat në historinë mijëra vjeçare të tij.

“Shqipëria nuk është një ufo, nuk operon e izoluar dhe marrëdhënia e Shqipërisë me Kosovën është një marrëdhënie vëllazërie, por Shqipëria është një shtet që është pjesë e pandashme e bashkësisë euro atlantike, është një vend anëtar i NATO-s dhe nuk ka asnjë shans që Shqipëria të zhvendoset nga boshti i bashkësisë euroatlantike për të nuk e di se çfarë. Ne nuk mendojmë 99, por 100% njësoj siç mendojnë aleatët tanë në këtë rast,” – u shpreh Rama.