Rama te Piramida me Blinken: Diktatori që na mësoi t’ju urrenim, po rrotullohet në varr tani!

Pas ndalesës së shkurtër në Presidencë ku u takua me kreun e shtetit Bajram Begaj, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është ndalur te Piramida ku është organizuar një takim me të rinjtë shqiptarë që kanë përfituar nga programet edukative të SHBA. 

Blinken u prit nga kryeministri Edi Rama, i cili i kujtoi sekretarit te shtetit se godina në të cilën ndodhet është ndërtuar për diktatorin Enver Hoxha, i cili siç u shpreh kreu i qeverisë me nota humori, “duhet të jetë duke u rrotulluar në varr sot.”

“Diktatori ynë, për të cilën kjo piramidë u ndërtua, po rrotullohet në varr sot. Ai na mësoi që t’ju urrejmë. Por, sot ne ju mirëpresim… Çelësat e shtëpisë sonë janë në duar të sigurta me ju. Dhe ju jeni shumë të sigurt në mesin tonë. Mirë se vini miku ynë dhe kini parasysh se ne mund të mos jemi aq të pasur, por ne jemi në vend të parë për dedikimin tonë ndaj jush dhe mund të mos jemi aq të mërzitshëm…,” deklaroi, ndër të tjera, Rama. 

Jashtë ambienteve të Piramidës është parë i parkuar edhe automjeti i kreut të SPAK-ut, Altin Dumani me të cilin Blinken pritet të ketë një takim ditën e sotme.