Regjistrimi i popullsisë, Prishtina pritet t’i ketë rreth 300 mijë banorë

Me regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, Prishtina numëron rreth 200 mijë banorë.

Me tollovitë e mëdha në qytet dhe numrin e madh të qytetarëve shihet se ky numër ka ndryshuar dukshëm.

Statistikat e popullsisë së Prishtinës pritet të ndryshojnë me regjistrimin e popullsisë, që pritet të fillojë në shtatorin e vitit të ardhshëm.

Sipas Avni Kastratit, drejtor i Departamentit për Statistika Sociale në ASK, me regjistrimin e ri, numri i popullsisë në Prishtinë pritet të jetë mbi 300 mijë banorë.

Krahasuar me vitin 2011, sipas ASK-së kësaj radhe do të ketë një regjistrim më të saktë, megjithëse do të ketë sfida teknologjike, për shkak se regjistrimi do bëhet përmes tabletëve dhe telefonave.

Për shkak se kryeqyteti ka ngarkesë më të madhe të qytetarëve, Kastrati thotë se do të ketë staf më të madh në Prishtinë që do merren me regjistrimin.

“Do të jenë 3 mënyra për regjistrim për të gjitha ata që nuk qëllojnë gjatë kohës së regjistrimit. Tani janë 6 javë. Do të jetë regjistrimi ballë për ballë, kur dikush nuk ka mundësi apo e ka anashkaluar ndonjë regjistrues, jo të gjithë janë profesionalë, do të ketë kontroll nga mbikëqyrësit, por edhe nga qendrat. Nëse nuk arrijnë të regjistrohen nga ekipet, mund të telefonojnë, është një ekip rezervë apo vetë një anëtar i familjes të shkojë në komunën përkatëse”, tha Kastrati.

Kastrati tregon se cilët qytetarë do regjistrohen e cilët jo.

“Do të regjistrohet popullsia që gjendet në Kosovë, dhe ata që janë rezident do të publikohen tabelat duke thënë se kaq janë rezidentë dhe kaq jetojnë jashtë vendit. Popullsia do të regjistrohet e gjitha gjatë regjistrimit që qëllon në Kosovë. Mund të jetë një numër më i madh i të regjistruarve por që nuk e përmbushin kushtin e rezidencës, por themi si brenda vendbanimit apo Kosovës. Ka turq që kanë ardhur të punojnë për 2-3 muaj por ata nuk janë rezidentë, ka organizata që regjistrohen por ata nuk janë rezident. Edhe KFOR-i nuk regjistrohet edhe misionet diplomatike ndërkombëtare”, tha Kastrati.

Në mesin e atyre që banojnë në Prishtinë, jo të gjithë do të konsiderohen si rezidentë. Studentët do të jenë ata që nuk regjistrohen si banorë të Prishtinës dhe do të regjistrohen në komunat përkatëse.

“Ka ble banesë që 5 ditë, futet në rezident”, tha Kastrati.

Në Prishtinë llogaritet të ketë rreth 100 mijë shtëpi dhe ndërtesa të banueshme, e kjo sipas kompanive të “Ujësjellësit” dhe “Pastrimit” të cilat kryejnë shërbime.

Duke theksuar se ka shumë banorë të Prishtinës që nuk janë të regjistruar si konsumatorë të tyre, “Pastrimi” thotë se ka mbi 72 mijë klientë.

“Bazuar në regjistrimin e fundit nga Komuna e Prishtinës, regjistrimi i fundit i komës së Prishtinës ka gjithsej 72 mijë e 847 konsumatorë, pasi ky regjistër është zyrtarë dhe si të tillë ne faturojmë klient dhe nuk do të thotë se krahas kësaj nuk ka klientë të tjerë që nuk janë të regjistruar për arsye të ndryshme, mirëpo ne i referohemi kësaj shifre zyrtare që e kemi nga komuna e Prishtinës”, tha Arbnora Ademi, zëdhënëse e kompanisë “Pastrimi”.

Ndërsa, sipas kompanisë rajonale “Ujësjellësi”, ata kanë 91 mijë e 697 konsumatorë në kryeqytet.

Regjistrimi do të fillojë më 1 shtator deri më 14 tetor dhe do të bëhet 6 ditë të javës, vetëm e hëna do të jetë pushim. Sipas ASK-së, stafi ka udhëzim që të shkojnë 3 herë në vendet që nuk përgjigjen qytetarët për regjistrim.