Revanshi i Imamoglu, çfarë e shkaktoi humbjen historike të Erdoganit në zgjedhje

Shumica e mediave ndërkombëtare e cilësojnë si historike humbjen e partisë së presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në zgjedhjet lokale të së dielës, me humbjen më të madhe të shkaktuar në Stamboll, ku Ekrem Imamoglu u rikonfirmua me 11% diferencë nga kandidati i AKP, Murat Kurum.

Bloomberg në një analizë pas publikimit të rezultateve finale, e përshkruan kryebashkiakun aktual të Stambollit si një “armik” të Erdoganit, duke kujtuar se ishte ai që në vitin 2019 i kishte dhënë fund kontrollit 25-vjeçar të qendrës financiare turke nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).

“Rezultati i së dielës do të jetë një nxitje e madhe për popullaritetin e Ekrem Imamoglu, pasi kryebashkiaku i Stambollit fitoi me më shumë se 11 pikë ndaj të zgjedhurit të Erdoganit, Murat Kurum , ndërsa sondazhet po flisnin për një betejë votë për votë në zgjedhjet për qytetin më të madh turk”, shkruan Bloomberg.

“Ky është vetëm fillimi”, tha Imamoglu të dielën përpara një ‘deti’ me flamuj të kuq turq, me kryebashkiakun e Stambollit që festoi nën zhurmën e këngëve patriotike.

Duke dashur, në fakt, të shfaqej unifikues, përballë vizionit për të qenë kundërshtari i madh i Erdoganit në zgjedhjet e 2028-ës, Imamoglu të hënën në mëngjes postoi një video të shkurtër në platformën X me mesazhin: “Fituan 16 milionë Stambollinjë”.

Sipas Bloomberg, disfata e Erdoganit i atribuohet gjendjes së ekonomisë. Nga njëra anë, inflacioni i pakontrolluar dhe nga ana tjetër, kostot më të larta të huamarrjes që nga ardhja në pushtet e presidentit aktual të Turqisë.