Rrezik konkret për luftë, Gjermania u kërkon qytetarëve të saj të largohen nga Irani

Situata në Lindjen e Mesme duket se është tejet e tensionuar. Një ditë më parë, mediat amerikane shkruan se Irani mund të godasë Izraelin me 100 dronë dhe brenda disa orësh. Sulmi do të përfshinte dhjetëra raketa të cilat do të godasin objektivat ushtarake në Izrael.

Ka reaguar edhe presidenti Biden, i cili po ashtu ka thënë se sulmi mund të ndodhë shumë shpejt, por në anën tjetër i tërhoqi vëmendjen Iranit që të mos e bëjë një gjë të tillë. Ndërkohë, Gjermania ka këshilluar qytetarët e saj që të largohen nga Irani në mes të tensioneve të.

Kjo pasi që autoritetet gjermane paralajmëruan se ekzistonte rreziku i përshkallëzimit të papritur të situatës së Teheranit me Izraelin. “Në tensionet aktuale, veçanërisht midis Izraelit dhe Iranit, ekziston rreziku i një përshkallëzimi të papritur.Nuk mund të përjashtohet që rrugët e transportit ajror, tokësor dhe detar të mund të preken nga një gjë e tillë. Qytetarët me shtetësi iraniane dhe gjermane janë veçanërisht në rrezik”, thuhet më tej në këtë njoftim.

Izraelitët janë të vetëdijshëm për kërcënimin që u kanosen. Ministri izraelit i mbrojtjes ka theksuar gatishmërinë për t’u mbrojtur nga toka dhe nga ajri.

“Ne jemi të gatshëm të mbrohemi në tokë dhe në ajër, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Ne dimë si të përgjigjemi”, u shpreh ministri Gallant.

Lideri supreme i Iranit, Ajatollah Khameini është zotuar për ndëshkim të Izraelit pas sulmeve të këtij të fundit në konsullatën iraniane në Damask. Khamenei premtoi ndëshkim për Tel-Avivin.

Teherani nuk ka treguar publikisht se si dhe kur do të reagojë ndaj Izraelit, kështu që është e paqartë se deri ku do të shkojnë liderët e Iranit. Nëse ata vendosin të kryejnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit, ekziston frika se kjo mund kthejë luftën e vazhdueshme të Izraelit kundër aleatit iranian Hamas në një konflikt shumë më të gjerë rajonal.