Rrezikon 4 vite burg, Donald Trump shpallet fajtor nga gjykata në Nju Jork

Donald Trump është bërë ish-presidenti i parë amerikan që dënohet penalisht. Me një vendim historik, juria e Gjykatës Federale në Manhatan e ka shpallur 77-vjeçarin fajtor për të 34 akuzat që rëndojnë ndaj tij, përfshirë edhe ato për falsifikimi të të dhënave tatimore për të ndikuar në zgjedhje.

Gjykata në Nju Jork e shpalli atë fajtor për falsifikimin e dokumenteve, si pjesë e një skeme për të ndikuar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke fshehur një pagesë ndaj aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels, e rrëfeu se ka kryer marrëdhënie intime me ish-Presidentin dhe është paguar në këmbim të heshtjes së saj.

Gjyqtari Juan Merchan falënderoi anëtarët e jurisë për shërbimin e tyre, duke thënë: “Askush nuk mund t’ju detyrojë të bëni asgjë që nuk dëshironi të bëni. Zgjedhja është e juaja“.

Gjykata pritet që t’i komunikojë Trumpit dënimin më 11 korrik, 4 ditë përpara fillimit të Konventës Kombëtare Republikane, e parashikuar për të nisur më 15 korrik, ku ai pritet të nominohet edhe zyrtarisht për president.

Trump rrezikon tanimë një dënim maksimal prej katër vitesh burg, megjithëse të tjerët të dënuar për të njëjtin krim shpesh marrin dënime më të shkurtra, gjoba ose liri me kusht.

Vendimi i sotëm i gjykatës e zhyt Amerikën në një territor të paeksploruar përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, ndërsa sondazhet e tregojnë Trump fitues përballë presidentit aktual Joe Biden.

Duke folur jashtë gjykatës, Trump tha se dënimi ishte një “turp” dhe se ai është “një njeri  i pafajshëm”. Sipas ish-Presidentit gjyqi ndaj tij është “i montuar” dhe gjyqtari “nuk duhej lejuar kurrë të gjykonte këtë çështje“.

Ndërkohë, një zëdhënës i Joe Biden tha në një deklaratë se “askush nuk është mbi ligjin”, pak pas vendimit të gjykatës.