“Rreziku i një përplasjeje direkte SHBA-Rusi po rritet në mënyrë të vazhdueshme”

Rreziku i një përplasjeje direkte mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po rritet në mënyrë të vazhdueshme. Kjo sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve TASS, e cila citon një diplomat të lartë rus.

Vladimir Yermakov, kreu i ministrisë së Jashtme për mospërhapjen bërthamore, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve se Uashingtoni po përshkallëzon situatën me sjelljen e tij ndaj Moskës.

“Nëse Shtetet Bashkuara vijojnë të ndjekin kursin aktual të përballjes me Rusinë…atëherë fati i START (traktatit të armëve bërthamore) mund të jetë një përfundim i paramenduar,” u shpreh Yermakov.

SHBA i tha Rusisë në mars se nuk do të shkëmbente më të dhëna rreth forcave të saj nukleare pas refuzimit të Moskës për të bërë të njëjtën gjë.

Kjo lëvizje u cilësua nga SHBA si një përgjigje ndaj pezullimit që Rusia i bëri pjesëmarrjes së saj në traktatin START.

Megjithatë, në intervistën e tij, Yermakov nuk u tregua specifik rreth kërcënimeve që po bënte sipas tij SHBA.

“Kërcënimi më akut sot është i lidhur me rrezikun e përshkallëzimit bërthamor si rezultat i një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes fuqive nukleare. Dhe, rreziku, për fat të keq, po vijon të rritet në mënyrë të vazhdueshme,” citohet të ketë thënë diplomati rus.