“Rusia nuk do ta sulmojë Europën”, Putin: Do t’i godasim avionët F-16 edhe në vendet e NATO-s

Rusia nuk ka ndërmend të luftojë kundër asnjë vendi të NATO-s, por nëse Perëndimi do t’i sigurojë Ukrainës avionë lufte F-16, do t’i rrëzojnë ato, madje edhe në aeroportet e shteteve anëtarë.

Ishte ky paralajmërimi i Presidentit Vladimir Putin, gjatë një takimi me pilotë të forcave ajrore të Rusisë. Ai tha se aleanca ushtarake e drejtuar nga SHBA ishte zgjeruar drejt lindjes që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin1991, por, sipas tij, Moska nuk ka synime agresive ndaj Polonisë, vendeve balltike apo Republikës Çeke. Pohimet se Rusia ka ndërmend të sulmojë Europën pas Ukrainës, i quajti absurde: “Nuk kemi asnjë qëllim agresiv ndaj këtyre shteteve. Ideja se ne do të sulmojmë ndonjë vend tjetër, si Polonia, shtetet balltike dhe Republikën Çeke është totalisht absurde. Është thjesht një mënyrë për të mashtruar njerëzit, në mënyrë që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen dhe t’ia lenë barrën atyre”.

E megjithatë, Putin u kujdes t’ia bënte të qartë Perëndimit pasojat e dërgimit të avionëve F-16 në Ukrainë, siç kanë premtuar të bëjnë disa vende. Sipas tij, këta avionë nuk do të ndryshonin situatën në terren: “Nëse ata i sigurojnë Kievit avionët F-16 dhe trajnojnë gjithashtu pilotët kjo nuk do ta ndryshonte situtatën në fushëbetejë. Dhe ne do t’i shkatërrojmë avionët ashtu siç po bëjmë sot me tanket dhe raketahedhëset. Dhe sigurisht, nëse avionët do të përdoren në pistat e vendeve të treta, ato do të bëhen shënjestra legjitime për ne, kudo që të ndodhen”.

Paralajmërimi i Putinit vjen pas komenteve të ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, se avionët duhet të mbërrijnë në Ukrainë gjatë muajve të ardhshëm. Kievi po i kërkon prej muajsh avionët F-16 dhe Belgjika, Danimarka, Norvegjia dhe Holanda janë mes shteteve që janë zotuar t’ia japin. Një koalicion vendesh ka premtuar të trajnojë pilotët ukrainas për përdorimin e tyre.