Serbia dhe Shqipëria kryesuese në rajon për fuqinë ushtarake, Kosova e fundit

Evropa prej thuajse dy vitesh po ripërjeton luftën në venat e saj, me shpërthimin e konfliktit në Ukrainë, si edhe me ngjarje të tjera madhore në përfshirje ushtarake, duke marrë parasysh edhe ngjarjet e fundit në Banjë të Kosovës, me një inkursion terrorist serb.

Kësisoj, investimi në fuqi ushtarake është bërë gjithnjë e më i lakuar ndër zërat e politikës dhe investimet për këtë sektor kanë filluar të shënojnë rritje të ndjeshme.

Me një Ballkan ende larg të qenit krejtësisht stabël, si qëndrojnë pozitat e shteteve, sa i takon fuqisë ushtarake?

E para në këtë fushë mbetet Serbia.

Në bazë të indeksit të Global Fire Power, i cili kryen çdo vit radhitjen e shteteve sa i takon fuqisë ushtarake, Beogradi renditet i 56-i në botë dhe i pari në Ballkanin Perëndimor.

Kjo do të thotë se ka pasur një ngritje prej dy vendesh nga viti i kaluar, ku investimet shënojnë shifrën e 1.5 miliardë dollarëve për mbrojtjen, në terma vjetorë.

Me 13 mijë ushtarë aktivë dhe 3 mijë pjesëtarë të forcave ajrore, Serbia ka në zotërim 122 mjete ajrore, prej të cilave 44 helikopterë, 11 aeroplanë luftarakë, 17 aeroplanë sulmues dhe dy për transport.

Po ashtu, zotëron 262 tanke, 3 mijë e 954 automjeteve ushtarake dhe 82 raketahedhës. Shumica prej tyre të trashëguara edhe nga periudha e ish-Jugosllavisë.

Shqipëria ndërkohë, edhe pse është e 90-a në botë, në Ballkanin Perëndimor renditet e dyta.

Vendi shpenzon 386 milionë dollarë në vit për Mbrojtjen dhe është pjesë e NATO-s.

Me 2 mijë e 335 ushtarë aktivë, 660 pjesëtarë të forcave ajrore dhe 1 mijë të tjerëve në forcën detare, Tirana zotëron 19 mjete fluturuese, ku të gjithë janë helikopterë.

Mjete të tjera pritet të mbërrijnë në vend në kohët në vazhdim, me hapjen e bazës detare të Kuçovës dhe me pritjen e mundshme për një bazë detare të NATO-s në Porto Romano.

SHBA-të e kanë nisur prej kohësh investimin e tyre me Shqipërinë dhe dy helikopterë Black Hawk të mbërritur javën e shkuar në vend janë shembulli konkret.

Kosova ndërkaq, radhitet e fundit në rajon sa i takon fuqisë ushtarake, edhe pse ka më shumë personel ushtarak dhe shpenzon më shumë se Shqipëria.

Kështu, nga 145 shtete që lista përmban, Kosova renditet e 135-a, sipas Global Fire Power.

Krahasimisht me vitin e shkuar, kjo nënkupton se Prishtina ka humbur një vend.

Buxheti i saj për Mbrojtjen kap shifrën 399 milionë dollarë, ka 7 mijë e 500 personel, mes atij aktiv dhe rezervistë.

Megjithatë, nuk ka asnjë mjet ajror ushtarak, edhe pse ka mjete ushtarake të blinduara në gatishmëri.

Sa i takon vendeve të tjera të rajonit, Maqedonia e Veriut renditet e 110-a, me 295 milionë dollarë për Mbrojtjen dhe shihet si anëtare e NATO-s. E 116-a është Bosnjë dhe Hercegovina, ndërsa Mali i Zi renditet i 129-i nga vendet e përfshira në listë.

Atë e kryesojnë forcat amerikane, ndjekur nga ato ruse e më pas ato kineze.

Ukraina ndërkaq, e cila gjendet në situatë lufte me Rusinë, renditet e 18-a në botë për fuqi ushtarake.