Gjithsej 3.370 shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë nga listat e votimit në Serbi, në periudhën 2015-2022, thuhet në një raport të publikuar nga Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut (YIHR).
Në raportin “Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si praktikë diskriminuese”, që u prezantua javë më parë në Beograd, YIHR ka thënë se pasivizimi është përdorur si instrument politik për të ndryshuar strukturën demografike dhe etnike të jugut të Serbisë.
Sipas Marko Millosavjelviqit që prezantoi raportin, humbja e adresave për shqiptarët në Luginë të Preshevës nënkupton pamundësi për t’u punësuar, martuar, blerë pronë, regjistrojnë veturë dhe të marrin pjesë në zgjedhje.
“Paradoksi është se viktimat e abuzimit me procesin e pasivizimit janë shpeshherë pronarë ose bashkëpunëtorë të pronave, apartamenteve dhe stepive për të cilat ata paguajnë taksa ndaj shtetit. Edhe pse të drejtat themelore të njeriut qartazi janë të kërcënuara, zyrtarët serbë e mohojnë këtë vite me radhë”, ka deklaruar ai.
YIHR ka theksuar tutje se të dhënat i kanë grumbulluar nëpërmjet intervistave me banorët, ndërsa 72 për qind e banorëve kanë thënë se për pasivizimin e adresave të tyre janë njoftuar vetëm verbalisht.
“Ankesat për diskriminim dominohen nga ankesat për diskriminim në bazë të kombësisë, që është 16 për qind. Nga kjo, vetëm një ankesë lidhet me diskriminimin ndaj shqiptarëve”, ka deklaruar Rejla Pantiq, shefe e Departamentit të Ankesave në ekipin e Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë, duke shtuar se kjo tregon se duhet t’i kushtohet më tepër vëmendje shtrirjes së diskriminimit.
Iniciativa u ka bërë thirrje autoriteteve të Serbisë t’i hetojnë pasivizimet e adresave të shqiptarëve dhe t’i publikojnë statistikat e qytetarëve sipas përkatësisë etnike, që janë pasivizuar nga 2012-a në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë.
Ankesa për fshirjen nga lista e votimit të shqiptarëve në Luginë ka pasur edhe më herët. Përfaqësues politikë shqiptarë në Luginë të Preshevës kanë shprehur disa herë këtë problematikë.
Serbia do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare më 17 dhjetor.