“Shkallon” ish-portieri i Gjermanisë, kërcënon fqinjin me sharrë elektrike, ia hedh vetëm me një gjobë të majme

Ish-portieri i kombëtares gjermane, Jens Lehmann, është urdhëruar të paguajë një gjobë prej 420 mijë eurosh, pasi u shpall fajtor për disa shkelje nga Gjykata e Qarkut të Starnberg.

Ai u shpall fajtor në një mosmarrëveshje të çuditshme mes fqinjëve. Lehmann, raporton “Bild”, u akuzua për dëmtim kriminal, fyerje dhe tentativë mashtrimi.

Prokurori akuzoi 54-vjeçarin se kishte hyrë me sharrë elektrike në garazhin e sapondërtuar të fqinjit të tij në liqenin Starnberg dhe kishte prerë traun e çatisë.

Lehamann me sa duket besonte se kishte çaktivizuar sistemin e vëzhgimit me video të garazhit, por ai vazhdoi të regjistronte sepse punonte me bateri. Akuza fillestare për shkeljen e ligjit u ndal, pasi fqinji hoqi dorë nga kallëzimi penal përkatës.

Gjyqi kishte të bënte gjithashtu me tentativën e mashtrimit. Lehmann u akuzua se kishte mashtruar tarifat e parkimit në garazhin e aeroportit të Mynihut dy herë në vitin 2021 dhe 2022.

Fillimisht ai kishte ngarkuar Porsche-n e tij elektrike, pastaj, sipas aktakuzës, ai iu afrua automjeteve të tjera në barrierën e daljes dhe kështu kaloi pa paguar. Me këtë ‘mashtrim’, ish-portieri i Borussia Dortmundit dhe Arsenalit do të kishte kursyer më shumë se 300 euro.

Në ditën e parë të gjyqit, Lehmann pranoi se kishte hyrë në garazh me një sharrë elektrike në dorë, por përndryshe iu referua gabimeve të kujtesës dhe foli për dyshime të rreme dhe shpifje.