Shpëtohen 5 alpinistët kroat që ranë nga Maja e Jezercës, 1 viktimë, 2 të tjerë rëndë

5 alpinistët kroat që ranë nga Maja e Jezercës janë shpëtuar, 2 prej të cilëve në gjendje më të rëndë, e ndërsa 1 prej tyre humbi jetën. Ky është bilanci i operacionit të kërkim-shpëtimit të ndërmarrë pasditen e kësaj të shtune, pas një telefonate për ndihmë që mbërriti në autoritetet shqiptare.

Viktima është identifikuar si Z. L., 43 vjeçe, e cila kishte ardhur së bashku me një grup aplinistësh. Ajo ka rrëshqitur nga një lartësi dhe për pasojë ka humbur jetën. Pas disa orësh kërkimesh, është bërë e mundur gjetja e trupit të saj dhe do  transportohet me helikopter, drejt morgut.

Ndërsa, 5 nga alpinistët e tjerë po kthehen në mjetet e tyre në Mal të Zi. Ndërkohë, 2 të tjerë u transportuan me ndihmën e helikopterit në qytetin e Bajram-Currit.

Alpinistët kishin hyrë nga territori i Malit të Zi, teksa për shpëtimin e tyre u angazhuan Policia e Shtetit në bashkëpunim me Shërbimin e Urgjencës, Forcat e Armatosura dhe Repartin e Kërkim-Shpëtim të Republikës së Kosovës.

“Prej disa orësh, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Shërbimin e Urgjencës, Forcat e Armatosura dhe Repartin e Kërkim-Shpëtim të Republikës së Kosovës u përfshinë në një operacion të vështirë në malin e Jezercës, për t’i dhënë ndihmë një grupi aplinistësh që kishin hyrë nga territori i Malit të Zi dhe kishin mbetur të bllokuar në majën e Jezercës. Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë i një shtetasje, e cila kishte humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes në një zonë të thepisur dhe me borë. Pesë nga alpinistët kroatë të asistuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, po kthehen tek e mjetet e tyre, në territorin e Malit të Zi. Dy turistë të tjerë u transportuan me ndihmën e helikopterit në qytetin e Bajram-Currit”, njofton Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.