Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme i ka përcjellë kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Macron një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Rama ka thënë se ky është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë e evropianë, prej kohësh, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, siç ka thënë ai kur palët nuk po arrijnë të merren vesh assesi.
“Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë e evropianë, prej kohësh, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kur palët dhe në këtë rast për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë, që bën atë që ka bërë edhe herë të tjera. Palët s’po merren vesh se as kush duhet ta shkruajë këtë tekst. Ky natyrisht është dokument konfidencieal, që nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar”, tha Rama, ndër të tjera.
Ndër të tjera, kryeministri shqiptar, alarmoi se situata në veri të Kosovës po merr “përmasat e një tragjedie politike” për Republikën e Kosovës. Rama tha se deklaratat e aleatëve strategjikë lidhur me këtë situatë janë gjithnjë e më alarmante, teksa e cilësoi të pakuptueshme ngurrimin e autoriteteve të Kosovë për deeskalimin e situatës.
“Situata në veriun e Kosovës po merr për fat të keq përmasat e një tragjedie politike për Republikën e Kosovës. Deklaratat e aleatëve tanë strategjikë lidhur me këtë situatë janë gjithnjë e më alarmante, dhe sinqerisht është e pakuptueshme arsyeja e ngurrimit të autoriteteve të Kosovës, për deeskalimin e një situate, ku dukshëm çdo ditë, orë e humbura e madhe është Kosova.
Serbia po bëna të që ka bërë edhe herë tjera, ndërsa Kosova po bën diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë, dhe si kurrë më parë po fajësohet botërisht nga të gjithë aleatët strategjikë të kombit shqiptar. Në kushtet me marrëdhëniet e aleatëve me Kosovën po marrin gjithnjë e më shumë tone ultimative, dhe kur rikthimi në gjendjen e mëparshme po rrezikon të marrë një kohë gjithnjë e më të gjatë, nëse Kosova dhe uroj, lutem të mos ndodhë do të sanksionohet për qëndrimin e saj, jam këtu për të ndarë një fakt të panjohur deri më sot”, u shpreh Rama.
Rama u shpreh se për bindjen e tij, asnjëra nga palët nuk e do Asociacionin dhe secila palë duan të bëjnë çmos për ta shtyrë atë në pafundësi.
“E kam ditur me kohë që nyja gordiane e dialogut do të ishte deri në fund Asociacioni dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do Asociacionin dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi me lloj-lloj artificesh politike apo teknike. Nga ana tjetër, besoj çdo ditë e më shumë se themelimi i Asociacionit është çelësi për të hapur derën e afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, njohjes së saj nga të gjithë, uljes në OKB e të gjitha forumet ndërkombëtare dhe njohjes së ndërsjellë me Serbinë. Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociacionit. Kam vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian Charles Mishel dhe palën amerikane. Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë e evropianë, prej kohësh, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kur palët dhe në këtë rast për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë, që bën atë që ka bërë edhe herë të tjera. Palët s’po merren vesh se as kush duhet ta shkruajë këtë tekst. Ky natyrisht është dokument konfidencieal, që nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar”, tha Rama.
Tutje, shefi i ekzekutivit shqiptar tha se ky draft është neutral dhe është bërë në radhë të parë për Kosovën.
“Drafti nuk është për t’u bërë publik, është thjesht një kontribut, por ajo që them është kush e do zgjidhjen realisht, e ka gati ta marri ta aplikojë e them me garanci të plotë. Drafti është neutral, është bërë për Kosovën në radhe të parë, Kosova për mua është mbi te gjithë, jam këtu për Kosovën, e as për njërin de as për tjetrin”, tha Rama.