Shqiptar je? Historia e rrallë, Silvinjo kërkon të marrë lojtarin e Francës dhe ta sjellë te Shqipëria

Silvinjo ka bërë disa gjetje te Shqipëria, ku përtej transformimeve të shumë lojtarëve që kanë qenë edhe në kohën e Rejës, veçohet afrimi i Mitajt dhe Asanit. Disa kohë më parë, trajneri u shpreh se kishte piketuar një mbrojtës të majtë si zëvendësuesin e Mitajt. Por kush ishte ky lojtar?

A ishte Naser Aliji, që u përfshi në listën e Europianit të Gjermanisë? Sigurisht që jo, Naser Aliji është prej vitesh pjesë e Shqipërisë dhe nuk është asgjë e re, nuk ka ardhur në Kombëtare prej Silvinjos. Shumë hodhën edhe variantin që trajneri po fliste për Hysajn që mund të luajë në krahun e majtë si dikur, por Silvinjo nuk flet kurrë përçart dhe për sa kohë jep një deklaratë publike të këtij tipi, do të thotë se bëhet fjalë për një afrim të ri, debutues, pra si në rastin e Asanit apo të Mitajt. Të tjerë u shprehën se Silvinjo do të marrë një tjetër talent të ri nga grupmoshat tona, më e logjikshme, por nuk ishte as kjo e vërtetë.

Koha Shtesë dhe Sport Ekspres ka zbuluar ekskluzivisht se çfarë po kalonte në mendjen e Silvinjos në kohën kur foli për një mbrojtës të majtë, një zëvendësues ideal me gjithë kuptimin e fjalës, për Mitajn. Pra edhe në momentet kur Mitaj të mungojë nga kartonët apo të dëmtohet, që nuk urojmë të ndodh, mungesa e tij nuk do të ndihej edhe aq shumë.

Bëhet fjalë për Anthony Cacin, një lojtar që me siguri po e dëgjoni për herë të parë në jetën tuaj. I lindur në 1997, Caci është rritur te moshat e Strasburgut. Ai kaloi në ekipin e parë dhe bëri shumë ndeshje të nivelit të lartë.

Sa i përket Kombëtares, Caci ka luajtur me grup moshat e Francës dhe njëkohësisht ka bërë 3 ndeshje me ekipin e parë të Francës, që i lë mundësinë FSHF për të hapur një betejë juridike për ta sjellë te Shqipëria pasi nuk ka luajtur në datat zyrtare të UEFA-s apo FIFA-s, por në Lojërat Olimpike. Dhe në fakt, FSHF ka treguar deri më tani se nuk di të humbas asnjë betejë juridike, një të fituar me Bajramin dhe një të fituar me Serbinë, më shumë vendimtaret.

Caci ka luajtur në këto tre takime në rolin e qendër mbrojtësit te Franca, karshi emrave si Gignac, Thauvin apo Kalulu. Por çfarë e lidh Cacin me Shqipërinë? Kjo është edhe historia më e bukur. Sipas informacioneve ekskluzive të Koha Shtesë dhe Sport Ekspres, disa kohë më parë trajneri Reja ka kërkuar dhe ka pyetur njerëzit në FSHF për një mbrojtës të majtë. Italiani e kërkonte me patjetër një mbrojtës të majtë të profilit të tij, në mënyrë që të mos eksperimentonte më me Hysajn në atë rol.

I vetëdijshëm se nuk kishte, kërkesa e Rejës ishte pak më e veçantë: “A mos gjejmë dot një mbrojtës të majtë si rasti i Ivan Balliu?”. Reja i referohej Ivan Balliut, që në rrëfimin e tij është shprehur se nuk e ka ditur origjinën e tij shqiptare pasi e gjithë familja, duke përfshirë gjyshin dhe stërgjyshin, kanë lindur në Spanjë. Por një afërm i largët e lidhte Balliun me Shqipërinë dhe më pas do të kalonte te kuqezinjtë.

Reja kërkonte pikërisht një rast të ngjashëm. Te Federata u vendosën menjëherë në punë dhe dalluan një mbiemër që iu duk shumë i njohur, Caci, luante te Strasburgu. Por më pas Reja do të largohej nga Kombëtarja, ndërsa Caci bëri edhe një hap më të madh, shkoi te Mainzi në Bundesligë. Në këtë sezon, Caci ka luajtur 38 ndeshje në Bundesligë dhe ka shënuar 2 gola, madje njërin prej tyre ia ka realizuar Bayern Munchen.

Por për Cacin ekzistonte një enigmë e madhe edhe brenda Federatës. Ata tentuan të gjitha kontaktet me të, përfshirë edhe familjarët apo menaxherin, për të gjetur rrënjët e tij shqiptare, por nuk mbërriti asnjë përgjigje prej tyre. Mbiemri e lidh shumë me vendin tonë, por nuk dihet saktësisht lidhja e tij me Shqipërinë dhe mbi të gjitha, a ka gjasa që të mos jetë shqiptar?

Më pas ky emër i është treguar edhe Silvinjos, pasi Reja nuk kishte kohën për të realizuar afrimin e tij. Menjëherë pasi ra në kontakt me profilin e këtij lojtari Silvinjo mori avionin dhe shkoi për ta parë në stadium. Jo më kot, Caci luan në rolin e Mitajt, në të qendërmbrojtësit dhe si mesfushori i krahut të majtë. Nëse ky kalim do të bëhej i mundur, Silvinjo mund të përdorte Cacin si mbrojtës të majtë dhe Mitajn si mesfushor të majtë, për t’i dhënë më shumë hapësirë dhe liri në sulm.

Në momentin kur Silvinjo shkoi në ndeshjen mes Frankfurtit dhe Mainzit në këtë sezon, të gjitha mediat u habitën sesi trajneri ynë shkoi në një përballje të Bundesligës për të parë Brajan Grudën, kur Gruda ishte dëmtuar dhe nuk përfshihej fare në ekip. Madje shumë kritikuan edhe Federatën sesi ka një mungesë informacioni të tillë dhe trajneri gjendet në një stadium ku shikon një ndeshje, që nuk përfshin asnjë lojtar shqiptar.

Por jo, në fakt Silvinjo nuk ishte në Franfkfurt-Mainz për të parë Grudën, por për të parë Anthony Cacin. Madje po sipas informacioneve që ne kemi marrë, mbrojtësi i ka lënë një shije shumë të mirë Silvinjos që ishte i bindur se do t’i jepte një kontribut të madh Shqipërisë. Megjithatë kjo histori mbyllet këtu, të paktën për ne. Nuk dihet ende nëse Silvinjo ka pasur një bisedë me këtë lojtar dhe ai ka refuzuar apo nëse Caci vazhdon që të mos i përgjigjet kërkesave të Shqipërisë për të pasur një komunikim me ta. Megjithatë trajneri i Shqipërisë ishte i bindur se nëse Caci do të kishte origjinën e largët shqiptare, do të ishte me siguri pjesë e Europianit të Gjermanisë. Mbetet të shihet nëse ky lojtar mund të jetë pjesë në të ardhmen e Shqipërisë pas Europianit ose nëse mund të mos ketë asnjë lidhje të vetme me vendin tonë dhe kështu, të mbyllet një histori e parealizuar, jo si në rastin e Ivan Balliut. /Sport Ekspres/