Shteti paguan terroristët? Lista Serbe financohet nga Kosova edhe pas Banjskës

Në më pak se 4 muaj pas sulmit terrorist në Banjskë, për të cilin Qeveria e Kosovës mbajti përgjegjës Serbinë dhe Listën Serbe, po kësaj organizate ia dhanë 360 mijë euro.

Më 12 janar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024. Më shumë se Lista Serbe përfituan vetëm Lëvizja Vetëvendosje, PDK e LDK. Ky vendim u cilësua si goditje ndaj integritetit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Lista Serbe nga 24 shtatori 2023 nuk do të duhej të ishte fare pjesë e institucioneve të Kosovës dhe të shpallet subjekt politik me motive dhe prapa skene që organizon grupe terroriste për dëmtim të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç, ishte udhëheqës i grupit që organizoi aktin terrorist të Banjskës.

“Tanimë ndaj saj (Listës Serbe) nuk është se është ndërmarrë ndonjë veprim hetimor nga ana e organeve të sigurisë së RK në bashkëpunim me prokurorin e rastit, pasi po mungon vullneti politik për të goditur subjektin politik Lista Serbe”.

Në mandatin aktual të Kuvendit, Lista Serbe kishte dhjetë deputetë, të gjithë vendet e rezervuara për komunitetin serb. Pas dorëheqjes në nëntor të vitit 2022, u zëvendësuan më 9 të tjerë, ndërsa një ulëse i kaloi partisë së Rada Trajkoviçit.

Megjithatë të njëjtit kanë shkuar në Kuvend vetëm për të ruajtur mandatet.

“Kur flasim për bojkotin politik që po e bën Lista Serbe nuk është i arsyeshëm dhe nuk mund të arsyetohet si një proces duket ditur që ka pothuajse dy vite që Lista Serbe vetëm bëhet pjesë e seancave për të mos e thyer nenin e Kushtetutës e cila thotë se deputetëve iu merret mandati nëse kalojnë 6 muaj të mos prezencës së tyre ne Kuvend dhe po ashtu të rregullores së Kuvendit”, tha hulumtuesja e KDI, Trinda Dreshaj.

Dreshaj vlerëson se bojkoti i Listës Serbe po minon demokracinë duke mos i përfaqësuar si duhet as interesat e serbëve lokal nga të cilat kanë marr votat.