Spektakli i madh “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”

Spektakli i madh “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” Producenti Guga: Krenar për shqiptarët që kanë ngritur “perandoritë” e tyre në botë.

Sapo ka përfunduar spektaklin “Krishtlindje në Tiranë” Sokol Guga ka nisur menjëherë nga puna për realizimin e edicionit të 3-të të spektaklit “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”, spektakël që mbledh 12 personalitete të suksesshëm në biznes në botë, të cilët kanë ndihmuar shqiptarët, por edhe kanë kontribuar në kauzat kombëtare. Edicioni i parë është realizuar në Prishtinë, i dyti në Shkup e tashmë i takon Tiranës, si kryeqyteti shqipfolës, që të mirëpresë “ambasadorët” e vërtetë shqiptarë, të cilët na bëjnë krenarë nëpër botë e që janë motori i rëndësishëm i ekonomisë.

Spektakli është konceptuar artistik, ku nuk do të mungojë orkestra filarmonike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me të ftuar speciale disa artistë lirikë dhe me pjesëmarrjen e një aktori brilant të teatrit dhe kinemasë shqiptare. Për rreth 2 orë transmetim publiku do të njihet me shqiptarë të suksesshëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Amerika, Italia, Greqia, Austria, Anglia, Franca etj, të cilët do të nderohen në këtë skenë me çmimin “Nënë Tereza”.

Skenografinë e këtij projekti producenti Guga ia ka besuar mjeshtrit Bledar Gërcaliu, i cili do të vijë me një koncept të ri duke luajtur me simbolikën, duart e saj dhe mantel bardh e blu, simbolet e Nënë Terezës.

Spektakli i madh do të realizohet në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit me 800 spektatorë në sallë. Duket se Guga e ka të garantuar suksesin me emrat që punon si drejtori fotografisë Olsi Tufa, mjeshtri i grafikës Taulant Hyso, mjeshtër audio Andri Gjini e Argest Rushiti, producenti muzikor Jusiald Xhani, kompozitori Gent Myftaraj dhe stilist Joni Peci, i cili do të kujdeset për veshjet e producentit e prezantuesit Sokol Guga dhe Matilda Mcini.

Sokol Guga shprehet i lumtur që do të ketë në krah këtë herë bukuroshen Mcini, për të drejtuar këtë ngjarje të madhe që do të ndodh në kryeqytet.Vetë producenti Guga ka bërë publike në rrjetet sociale se këtë herë i është bashkuar produksionit edhe skenaristi, autori e prezantuesi Pandi Laço. Po ku qëndron bashkëpunimi me Laçon? Nje surprize artistike po pergatitet… Shqiptarët do të kenë mundësinë të ndjekin më datë 5 Shtator spektaklin “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”, në televizionin kombëtar Klan Plus.