Sulmohet fizikisht kryeministrja e Danimarkës

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, është sulmuar fizikisht të premten në mbrëmje në Kopenhagë, ka konfirmuar zyra e saj, shkruan “The Telegraph”.

Frederiksen u sulmua nga një burrë në sheshin publik Kultorvet në qendër të kryeqytetit danez, raportuan mediat lokale.

Zyra e kryeministres ka thënë se ajo mbeti “e tronditur” pas sulmit. Është e paqartë nëse ka pësuar lëndime.

Policia daneze arrestoi një të dyshuar dhe konfirmoi incidentin për “Jyllands-Posten”, por nuk dha koment të mëtejshëm.

Frederiksen kohët e fundit ka bërë fushatë me partinë e saj përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të dielën.

Zgjedhjet janë dominuar nga rritja e së djathtës ekstreme.

Evika Siliņa, kryeministrja e Letonisë, në “X” shprehu tronditjen për sulmin.

Magnus Heunicke, ministri i Mjedisit, e quajti sulmin “të shëmtuar dhe të papranueshëm”.

Vetëm disa javë më parë, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, u plagos rëndë nga një person.