“Tani shko dhe fito luftën!” Çfarë i tha Zelenskit kreu i demokratëve në Senat pas miratimit të ndihmës për Ukrainën

Senati amerikan ka miratuar paketën e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh, ku përfshihet mbështetje ushtarake për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin. Paketa parashikon 61 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Kievin, të cilat siç tha Pentagoni, mund të fillojnë t’i dërgohen vendit të zhytur në luftë “brenda disa ditësh”.

Projektligji kaloi me një votim dypartiak, ku 79 votuan pro dhe 18 kundër. Tashmë legjislacioni i miratuar nga Senati pret vetëm firmën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, paralajmëroi kundërshtarët e SHBA-së se, do të bëjnë çdo gjë për të mbrojtur demokracinë.

“Po u themi aleatëve tanë se në qëndrojmë me ju. Po u themi kundërshtarëve tanë, mos e kruani me ne. I themi botës së Shtetet e Bashkuara do të bëjnë çdo gjë për të ruajtur demokracinë dhe mënyrën tonë të jetesës. Vladimir Putin të pendohet për ditën kur vuri në dyshim vendosmërinë amerikane. I lashë një mesazh presidentit Zelenskyy. Ai më kishte telefonuar një ditë më parë dhe i thashë, OK e mbaruam. Tani, shko fito luftën”, u shpreh Chuck Schumer, udhëheqësi i demokratëve në Senat.

Biden përshëndeti miratimin e legjislacionit në Senat në një deklaratë me shkrim.

“Unë do ta nënshkruaj këtë projektligj dhe do t’i drejtohem popullit amerikan, në mënyrë që të mund të fillojmë dërgimin e armëve dhe pajisjeve në Ukrainë këtë javë. Nevoja është urgjente: për Ukrainën, përballë bombardimeve të pandërprera nga Rusia; për Izraelin, i cili sapo u përball me sulme të paprecedentë nga Irani; për refugjatët dhe ata të prekur nga konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore në mbarë botën, duke përfshirë Gazën, Sudanin dhe Haitin; dhe për partnerët tanë që kërkojnë siguri dhe stabilitet në Indo-Paqësor”, tha Biden.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se ishte mirënjohës ndaj ligjvënësve amerikanë për miratimin e ndihmës “jetike” për Ukrainën.

“Kjo votë përforcon rolin e Amerikës si një fener i demokracisë dhe udhëheqës i botës së lirë”.