Televizioni si spektator i shembjes së tij nën peshën e “telenovelave turke”,  “reality show” fasadë dhe etjes për klikime

Elis Buba

Televizioni si spektator i shembjes së tij nën peshën e “telenovelave turke”,  “reality show” fasadë dhe etjes për klikime

Përse nuk ka një “peticion” në AMA për shmangien e “telenovelave turke” të televizioneve shqiptare?!

Përse nuk ka një “peticion” në AMA kundër orientalizimit të pikpamjeve tona identitare, kundër degradimit të standardeve që çojnë në një cënim psikologjik te shoqërisë, përmes cilësisë së ulët të programacionit?

Si funksionojnë televizionet, analogjitë dhe mosbarazimi i tyre me rrjetet sociale dhe mediat online?

Televizori rrëmben nga koha jonë jetësore, duke na servirur në ekran materiale me interes për ne si publik ose për vet institucionin si njësi tregtare. Televizioni në vete është një vend, në mos tregëtimi të drejtpërdrejtë, tregëtimi indirekt. Televizioni tregëton kohën tonë, tek kompani të mëdha biznesi, në kërkim të blerësve. Këto kompani reklamojnë mallrat ose shërbimet e tyre përgjatë programeve televizive.

Të njëjtën gjë bëjnë edhe rrjetet sociale ose mediat online. Por këto të fundit nuk funksionojnë vetëm përmes profesionistëve ose personave të specializuar e të paguar. Rrjetet sociale marrin kohë jetësore edhe me marrëzira e kotësira. Është në varësi të përdoruesit, nëse ka kohë të lirë për të shpenzuar, duke frekuentuar rrjetet sociale.

Televizioni në veçanti dhe “telenovelat turke” si një “influencer” i sforcuar

Telenovelat turke në retorikën mediatike dhe rrjetet sociale mund të gjenden edhe si epitet i mediokritetit dhe të padëshirueshmes.

Pak kohë më parë, u dërgua një peticion mjaft i veçantë, drejtuar  AMA (Autoriteti Mediave Audiovizive) nga një grup intelektualësh nga më të rëndësishmit në vend, ku renditen: Rexhep Qosja, Bamir Topi, Xhevat Lloshi, Pëllumb Xhufi etj, që të ndërhyjë në një fenomen që po shikohet në ekranet shqiptare.

Në dokumentin në fjalë theksohet: “Me këtë peticion,, një grup studiuesish, intelektualësh, studentësh e qytetarësh të tjerë, shumë të shqetësuar për cilësinë e mediave audiovizive dhe respektimin e informacionit shkencor, drejtuan një kërkesë të cilësuar të rëndësishme dhe urgjente.

Niveli i ulët i informacionit shkencor në një pjesë të mediave tona, promovimi i dijeve amatoreske, i një etimologjie vulgare dhe sharlatanizmi kanë krijuar një situatë alarmante.  …”

Shkurtimisht shigjetoheshin disa studiues te Gjuhës Shqipe, që mesa duket hulumtimet i kanë përcjellë në teori të guximshme dhe rrjedhimisht të etiketuara qesharake. Pikërisht për këtë “kërkesë urgjente” dërguar AMA, për ndalimin e daljes kryesisht në televizion të këtyre të anatemuarve, pasi dëmtojnë reputacionin e gjuhës dhe njëherazi mendësinë e spektatorëve, u ngritën në këmbë dy fronte mendimesh të kundërta.

Deri këtu të jepet përshtypja se jemi brenda normave, përveç faktit që kjo në gjuhën e publicistikës, gazetarisë dhe politikës, quhet ndalim, censurë e fjalës së lirë dhe e të drejtës së shfaqjes së teorive, ideve dhe opinioneve personale në publik. Kjo është praktikë totalitare dhe populli yne e njeh fort mirë këtë lloj metode të vepruari përmes kanosjes dhe ushtrimit të vullnetit të njërës palë, kundër tjetrës, për të mbërritur tek qëllimet fundore të së parës.

Kjo është edhe arsyeja përse personalisht nuk jam dakort me peticionin e intelektualeve për AMA. Në krah tjetër, kërshëria personale do të qe e madhe, për të lexuar dikë, që do mund të kundërshtontë në format shkencor për shembull, përfundimet e punës së Prof. Petro Xhejit. (Pa dashur të vendos në krahasim asgjë dhe askënd). Gjithsesi këto mbeten dëshira dhe nuk janë këto qëllimi i këtij artikulli.  

Pikpyetja që ngrihet këtu, është përse këta intelektualë të nderuar duan të shpëtojnë televizionet dhe spektatorët vetëm nga kjo “ndotje kulturore” po e quajmë dhe nuk kërkojnë ta mbrojnë nga ndotje të tjera, që për hir të së vërtetës kanë një ndikim psiko-social shumë herë më të madh se “studimet gjysmake” gjuhësore dhe historike.

Përse rrjetet socialë e “nënshtrojnë” vetëm pjesërisht televizionin?!

Mendoj se rrjetet sociale mund të nënshtrojnë numerikisht televizionin, por nuk mund ta mohojnë, fashisin, ulin ose zhvlerësojnë rëndësinë e tij, pikërisht për hir të rëndësisë së punës së bërë profesionalisht. Profesionalizmi dhe amatorizmi, janë në një kacafytje të vazhdueshme mediatike. TV i humbasin pikët tek kompromentimi i punës profesionale, për arsye nga më të ndryshmet. Po ashtu profesionalizmi i humbet pikët pasi prej kohësh puna voluminoze, e detajuar e ngarkuar me material të bollshëm, vuan për të qenë e kuptuar dhe e shqyrtuar shterrueshëm nga publiku që kërkon materiale të gatshme ose gjysmë të tilla. Mediokriteti, në anën tjetër mjaftohet me ndjekshmërinë si tregues i suksesit dhe cilësisë dhe fillon te guxojë duke prekur edhe punë profesionistësh.

Si profesionisti edhe amatori në të gjithë llojet e mediave, gjëmojnë të marrin vëmendje, të përcjellin një mesazh ose informacion dhe të përfitojnë mirënjohje publike, reputacion dhe para. Të gjithë në thelb kërkojnë virtualisht të paditurin, të painformuarin, që të mund t’i ushqejnë krijimin e tyre, produktin ose informacionin e tyre. Ndonjëherë të njëjtën gjë bëjnë edhe shtetet mes tyre, në lëmin gjeopolitik.

Përvojat pozitive me TV, që vlejnë të përmenden

Duke qenë prind, në opinionin tim, punën më të lavdërueshme në televizion, po e bëjnë ato platforma, që sjellin krijimet e tyre për fëmijët dhe të gjithë familjen. Ose transmetojnë të dubluar në shqip filmat për familjarët dhe fëmijët.

Krijimtaria artistike vendase do te duhej të ndihmohej e subvencionohej, pasi talentet në vendin tonë janë të shumtë dhe duhen inkurajuar si në vendet fqinje.

Pra përse mungon një peticion për filmat turq?

Në gjeopolitikë, ndikimi kulturor është një dukuri që shfaqet kryesisht në dy mënyra, me ose pa dëshirë. Me ose pa hir! E para, me dëshirë, natyrshëm, duke hasur në interesin e publikut dhe ndikimin e përnjëherët, siç, bie fjala në fillimet e demokracisë, ishin filmat italisht (Jo domosdoshmërisht prodhime të Italisë) ose këngët italiane, por edhe greke më vonë.

Mënyra e dytë është pa dëshirë, me ekspansion të sforcuar kulturor, le ta quajmë. Përmes qokave tregëtare, sponsorizimeve dhe interesave të tjera te paqarta.

Në opinionin tim, ky është rasti i serialeve turke. Këta ndryshe nga muzika turke, që ka pasur adhuruesit e saj këtu, nuk kanë qenë kurrë popullor ne Shqipëri. Hendeku kulturor ka qene serioz dhe domethënës. Megjithatë ato shfaqen në disa prej kanaleve më të mëdha në vend. Për aq kohë sa ne ende u besojmë kohën tonë profesionistëve të televizioneve, do furnizohemi edhe me këto orientalizma, dogmatike historike, kulturore dhe morale, drejt së cilave nuk shkojmë vetë. Shqiptarët fizikisht, shpirtërisht dhe kulturalisht kanë qenë gjithnjë të orientuar nga perëndimi europian dhe normat e tij sociale.

Nëse televizionet me zgjedhje vazhdojnë të transmetojnë historinë në variantin turk, kulturën dhe traditat familjare brenda kornizave të një morali të ngurtë, atëherë padyshim që një pjesë e shoqerisë do fillojnë gradualisht të identifikohen me situatat e përcjella artistikisht dhe me etikën që në thelb, mendoj se e tjetërson perceptimin identitar. Parimisht nuk dëshiroj të pozicionohem kundër kinematografisë turke apo kulturës së sjellë prej saj. Ne kemi shekuj historie të përbashkët, por shqiptarët kanë qenë në pozitat e të sunduarve dhe të pamundurve kulturalisht. Pavarësisht se historia jonë si edhe e popujve të rajonit, ka një sërë personalitetesh që janë pjekur e burrëruar kulturalisht dhe politikisht nën ndikimin turk, ndër të parët Gjergj Kastrioti më tej Mehmet Aliu, Ali Pashai – Luani i Janinës, Pashko Vasa, Ismail Qemali, vëllezërit Frashëri etj plot, dëmet e sundimit të gjatë janë thuajse shfarrosëse për, gjuhën, kulturën, traditat, zakonet dhe orientimin tonë shpirteror.

Mbi të tjera, ajo së cilës i qëndroj kundër është mënyra se si i inponohet publikut shqiptar. Duket se këto filma janë në vazhdën e një “axhende paraprake”, e një dallge plandosëse social-kulturore, që gjen hapësira në xhepat e zbrazët të shumë shqiptarëve. Sa më lartë madje janë artikuluar qartazi në një përplasje brenda komunitetit mysliman. Anëtarë të së cilit janë akuzuar ndërsjelltazi për çështje që nuk kane të bëjnë aspak me teologjinë dhe me praktikat shpirtërore në tërësi.

Një rregullator i mirpërcaktuar për këto çështje, do të ishtë i domosdoshëm edhe pa kurrfarë “peticioni” mund të veprohet, nëse është vullneti.

Përse mungon një peticion për Reality Show dhe Reality TV?

Nën petkun justifikues të eksperimentit social, që gjithsesi nuk mbaron kurrë, e nuk nxjerr rezultate të qarta, po vijohet të ngrihen në piedestal veset, huqet, perversiteti, vulgariteti, banaliteti, bajatia, aftësitë dhe paaftësitë konfliktuale të individëve të ndryshëm, të cilët kanë merita minimale shoqërore, por që apriori quhen Persona te Rëndësisë së Veçantë. Këto shfaqje “reality”, që s’përputhen me realitetin, po vetëm me një fasadë të këtij të funditpo e shndërrojnë edhe televizionin në një aspirator klikimesh. Një shpurë e konsiderueshme profesionistësh i bëjnë fresk virtual si dukuria më e madhe kulturore e viteve të fundit. Kur te fakt formate të tilla janë amplifikatorë të një artikulimi fyes, cënyes, ofensiv, kanosës dhe kush të mund të mbijetojë e të dalë në sipërfaqe, le ta bëjë. Ky është ligji bazik i xhunglës, i forti e ha të dobëtin, përtej normave bazike të civilizimit dhe humanizmit. Mungesa e semaforëve rregullatorë të këtij fluksi pështjellues kotësishë, është mjerim po ta mendosh me gjakftohtësi. Por për momentin kjo është e vetmja gjë e madhe që mund të sjelli në jetë ekrani ynë i vogël.

“Në jetë ka vetëm një të mirë, dituria dhe një të keqe, injoranca” ka lënë të shkruar Sokrati.

Kjo shprehje është edhe zgjidhje e qartë e ekuacionit verbal; – “Më mirë të dish apo të kesh?!”