Tensione te kryesia e Kuvendit, deputetët e opozitës nuk lejohen të futen, Noka kapërcen kangjellat

Deputetët e opozitës, të cilat janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit për 10 ditë, nuk u lejuan të futen brenda godinës së kryesisë, për të marrë pjesë në komisionet parlamentare.

Kjo ka shkaktuar tensione dhe përplasje me efektivët e Gardës së Republikës, të cilët kanë bllokuar derën. Flamur Noka arriti të kapërcente kangjellat dhe të futej brenda kryesisë. Përpjekje bëri edhe Saimir Korreshi.

Në rendin e ditës janë parashikuar 5 komisione parlamentare, ai i Ekonomisë, Ligjeve, Shëndetësisë, Politika e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese ku kryefjalë do të jetë projektbuxheti i vitit 2024.

Megjithatë, në punimet e komisioneve, sikurse ka ndodhur përgjatë javëve, nuk pritet të ketë normalitet, pasi opozita pritet të vijojë me skenarin e kaosit, për të mos lejuar punime normale në Kuvend, derisa të plotësohen 3 kërkesat e tyre (mospërfshirjen e PS-së në punët e brendshme të grupit të deputetëve të PD-së, zëvendësimin e anëtarëve dhe bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, si dhe ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare).

Por, socialistët e kanë gati skenarin “B”, pasi mbledhjet janë zhvendosur online, pavarësisht se kjo mënyrë parashikohet vetëm në situatë të jashtëzakonshme.

Nga ana tjetër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike me në krye Gazment Bardhin do të bëjnë një mbledhje rreth orës 10:15 të ditës së sotme.