Tensionet në Veri, Azem Vllasi: Këto janë qëllimet e Vuçiqit

Pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë vazhdojnë të jenë të mbyllura. Kjo për shkak të barikadave të vendosura nga serbët.

Por, si e sheh analisti politik, Azem Vllasi situatën e krijuar së fundi në veri të vendit?

Në një prononcim për Indeksonline, ai ka thënë se tensionet në veri qëllimisht po i ngrit Vuçiqi.

Qëllimi i tij, sipas Vllasit është që të pengoj çfarëdo qasje të pushtetit të Kosovës në atë pjesë të vendit dhe t’a përgatis shkëputjen.

“Apo të formohet Bashkësia e komunave serbe si pushtet i vetëm real për atë pjesë të Kosovës e faktikisht si filiale e pushtetit të Serbisë. Poashtu do që ta zvarrit dialogun me Kosovën, sepse po e sheh se duhet që Serbia ta pranoi faktin se Kosova është shtet fqinj jugorë i saj dhe jo “krahinë jugore” e saj”, ka thënë ndër të tjera ai.

Më tutje, ai ka thënë se në bashkëpunim të ngushtë me faktorët ndërkombëtar duhet të shpjegohen këto qëllime të Serbisë.

“Në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in duhet të kontrollohet tërë vendi dhe kufijtë e Kosovës pa ndërhyrje në vendbanimet serbe, por jo të tolerohen ata që merën me akte të dhunshme”, ka theksuar ai.

Sa i përket deklaratës së Vuçiqit për dërgimin e 1000 ushtarëve serb në Kosovë, Vllasi thotë se edhe presidenti serb e din që nuk pranohet dhe këtë e ka për konsum të brendshëm.

“Jo vetëm uniforma ushtarake e policore, por as të rojtarëve të pylli nga Serbia kurrë më nuk do të ketë në Kosovë. Këtë Vuçiqi dhe secili serb mirë e dinë”, ka përfunduar Vllasi.