Bërnabiqit nuk i pëlqen që Escobari kundërshtoi kategorikisht futjen e ushtrisë serbe në Kosovë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka reaguar ndaj deklaratave të Emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që tha se SHBA-ja kundërshton kategorikisht futjen e ushtrisë serbe në Kosovë.

Escobar në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, tha se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga SHBA-ja.

“Unë shoh që miku im Gabe Escobar është një tjetër që është radhitur te politikanët që janë pa mëdyshje kundër rezolutës aktuale të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai ka marrë mbi vete rolin e Këshillit të Sigurimit dhe i ka dhënë vetes të drejtën unanime për të vendosur dhe së bashku me Ministrinë e Jashme të Gjermanisë, me ministren e Heshtjes, Von Cramon, e njohur si raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën, anuloi Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nuk ka nevojë që OKB-ja të organizojë seanca të Këshillit të Sigurimit, si masë kursimi, kjo treshe do të vendosë për çështjet globale tash e tutje”, ka shkruar Bërnabiq në Twitter.