“Trashëgimi pushteti në stil perandorak”, zbulohet plani: Djali sekret mund të pasojë Putin në Kremlin

Vladimir Putin po mendon t’i trashëgojë pushtetin, djalit të tij sekret 9-vjeçar. Kështu raporton media britanike “The Sun”, ndërsa shkruan për planet e fshehta të presidentit të Rusisë për gjetjen e një pasardhësi dinastik.

Sipas një pretendimi, Putini, që udhëheq vendin me grusht të hekurt, po kërkon që të sjellë menjëherë në pushtet dy vajzat e tij të mëdha për të vepruar si regjentë të mundshëm nëse shëndeti i tij pëson komplikime.

Ky skenar, thuajse një teori konspirative, është lëshuar nga ish deputeti rus Mark Feygin gjatë një paraqitjeje në një televizion në Ukrainë, i cili thotë se shefi i Kremlinit po përpiqet të ndërtojë një linjë trashëgimi të pushtetit të stilit mbretëror.

Sipas kësaj teorie, Putin kërkon të qëndrojë në pushtet në Rusi deri sa djali i tij i paekspozuar dhe i fshehtë, Ivan, të mbushë 18 vjeç dhe më pas t’i dorëzojë mbretërimin e vendit si një “car” i ri.

Kjo do të kërkonte ndryshimin e kushtetutës së Rusisë, gjë të cilën Putini e ka dëshmuar se nuk e ka të vështirë që ta bëjë. Ish-deputeti, një kundërshtar i fortë i presidentit rus, pretendoi se Putini ka 2 djem të vegjël me partneren gjimnaste, Alina Kabaeva, Ivan dhe Vladimir Jr.