Turqia arreston shtatë persona me dyshimin se i shitën informacione Izraelit

Policia turke ka arrestuar shtatë persona mbi dyshimin se i kanë shitur informacione agjencisë së inteligjencës së Izraelit, Mossad, kanë thënë autoritetet.

Të dyshuarit u dërguan në mbajtje pas bastisjeve në Stamboll, ka thënë ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya. Bastisjet u bënë në një operacion të përbashkët me Organizatën e Inteligjencës Kombëtare të Turqisë.

Të arrestuarit dyshohen se mblodhën të dhëna mbi individë dhe kompani në Turqi dhe ua shitën agjencisë izraelite të inteligjencës, ka thënë Yerlikaya, raportoi AP.

“Ne nuk do të lejojmë asnjëherë aktivitete spiunazhi brenda kufijve të shtetit tonë”, ka deklaruar ai.

Muajin e kaluar, shtatë persona të tjerë u arrestuan mbi dyshime të njëjta. Dhe në janar, 34 persona ishin arrestuar nga policia turke me dyshimin se spiunonin për Izraelin.