U bllokua në pyll për disa ditë, gruaja mbijeton duke pirë verë

Një grua 48-vjeçare mbijetoi për pesë ditë e bllokuar në një pyll në Australi duke ngrënë ëmbëlsira dhe duke pirë një shishe të vetme verë. Lillian Ip u nis për një udhëtim të shkurtër të dielën, duke udhëtuar mes pyjeve të dendura në shtetin Victoria.

Por ajo ngeci në një qorrsokak pasi mori një kthesë të gabuar dhe automjeti i saj u bllokua në baltë. Zonja Ip, e cila nuk pinte alkool, kishte vetëm një shishe verë në makinë pasi po planifikonte t’ia jepte si dhuratë nënës së saj.

Pas pesë netësh e bllokuar, ajo u zbulua nga shërbimet e urgjencës të premten, ndërsa ata dolën me helikopterë për ta kërkuar.

“Gjëja e parë që më erdhi në mendje, ishte ‘ujë dhe një cigare’. Faleminderit Zotit, policja kishte një cigare. Mendova se do të vdisja atje. Isha gati të dforëzohesha”,-tha 48-vjeçarja për mediat australiane.

Ndërsa humbi shpresën për t’u gjetur e gjallë, ajo i shkroi një letër familjes së saj duke thënë se i donte ata.

Zonja Ip u gjet rreth 60 km (37 milje) larg qytetit më të afërt dhe për shkak të problemeve shëndetësore ajo nuk ishte në gjendje të ecte larg kështu që qëndroi me makinën e saj, tha policia e Victoria.

Ajo kishte vetëm disa ushqime dhe ëmbëlsira për të ngrënë, dhe pa ujë.