U bllokuan të futen në mbledhjen e OKB-së, presidentja Osmani refuzoi të futet në mbledhje pa prezencën e katër grave

Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçolli dhe Shyrete Tairi ishin të pranishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, të cilat në këtë mbledhje ishin prezentë me ftesë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

KultPlus merr vesh se edhe pse emrat e grave të lartpërmendura janë regjistruar më herët, ashtu sikur edhe është kërkuar me protokol, pak para fillimit të mbledhjes është tentuar nga administrata e OKB-së që katër gratë nga Kosova mos të lejohen të futen në sallë.

“Kujtimet e luftës ende janë në mendjet dhe shpirtërat tanë”, tha Osmani, duke treguar se me vete i ka marrë edhe Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin e Shyrete Tairin të cilat kanë pësuar rëndë nga lufta e fundit në Kosovë në forma të ndryshme.

Këto kujtime, Osmani tha se i ndajnë edhe “gratë, burrat, të rinjtë dhe pleqtë që janë me ne nga shtëpitë e tyre”.

“Para 5 ditësh kemi shënuar 25 vjetorin e masakrës nga regjimi i Millosheviqit. Elhame Muqolli, që është me mua sot ka qenë vetëm 14 vjeçare kur shtëpia e saj është sulmuar nga forcat policore serbe. 53 civilë, shumica nga ta fëmijë, fillimisht janë qëlluar me armë dhe i kanë mbledhur në një dhomë të vetme. Përderisa policia ka shkuar që të furnizohej, Elhamja ka kërcyer nga dritarja dhe ka ikur, edhe pse ka qenë e plagosur me plumba. Shkurt, më pas policia është kthyer me furnizime shtesë për t’i vënë në zjarr të gjithë 53 civilët”, tha Osmani.

“Elhamja asnjëherë s’do të mund të harrojë klithmat e disa prej fëmijëve që ende kanë qenë të gjallë përderisa janë djegur e shkrumbuar. Nëse kjo s’ka qenë e mjaftueshme, policia prapë ua ka vënë zjarrin. Fëmijë të vogël, edhe 6 muajsh, 10 muajsh janë djegur në përpjekjen për t’i zhdukur nga faqja e dheut vetëm sepse kanë qenë shqiptarë”, tha presidentja.

Në atë regjim, Osmani theksoi se “ka shërbyer ky individ si ministëri propagandës”, duke iu referuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i pranishëm në këtë takim.

“Asnjë politikan serb për 25 vjet, asnjë i vetëm s’ka ardhë që të përkulet përpara varreve të këtyre fëmijëve”, tha Osmani.

Ajo tregoi edhe për Vasfije Krasniqin, e cila u dhunua seksualisht dy herë gjatë luftës.

“Më shumë do të heqësh nëse vazhdon të jetosh, i kanë thënë asaj”, tregoi Osmani.

Ndërsa për Shyrete Tairin, Osmani tregoi “është dhunuar para vajzave të saj të vogla trevjeçare dhe njëvjeçare”.

“Forcat e Millosheviqit i kanë kryer këto akte para fëmijëve të vegjël, duke dashur të sigurohen që dhimbja do të kalojë nga gjenerata në gjeneratë”, tha presidentja.

Gjithashtu, foli për Fahrije Hotin që përjetoi masakrën e tmerrshme të Krushës së Madhe.

“Fatkeqsisht, edhe pas 25 vitesh prej kur NATO përfundoi fushatën gjenocidale të Millosheviqit, përpjekjet e destabilizsimit nga Serbia janë të vazhdueshme dha aktive. Serbia tash ka eskaluar agresionin konstant ndaj Kosovës, fillimisht me kidnapimin e policëve shqiptarë nga territori ynë, me sulmet ndaj gazetarëve kosovarë, si dhe 93 ushtarëve të KFOR-it sulm, po ashtu me sulm terrorist”, tha Osmani paraprakisht.