“Vajza nuk vriste dot një pulë, jo babanë”, krushku i familjes Meta flet për vrasjen në Durrës

Opinioni publik u trondit, këtë të premte, nga një ngjarje e rëndë, e zbardhur nga policia e Durrësit, ku një 19-vjeçare akuzohet se ka vrarë me armë zjarri babain e saj dhe trupin e pajetë e ka groposur në oborrin e shtëpisë.

Krimi i rëndë në familje dyshohet se është derivat i një vendimi të kryefamiljarit Pëllumb Meta për të fejuar të bijën, Hygerta, me një person të cilin ajo nuk e donte.

Krimi u fsheh për rreth dy javë, ndërsa në polici ngriti alarmin për zhdukjen pa gjurmë të babait, djali 25-vjeçar i tij.

Për mediat, në lidhje me ngjarjen e rëndë ka folur krushku i familjes Meta, djali i të cilit është bashkëshorti i motrës më të madhe të autores 19-vjeçare.

Sipas tij, familja Meta ishte model dhe Hygerta ishte një vajzë e respektuar, e cila nuk mund të vriste dot një pulë dhe jo më të atin.

“Kam mbetur i shokuar nga ngjarja, ishin një familje e mirë. Vetë ka qenë shumë i mirë. Ai punonte si roje te tregu i makinave. Nuk kemi pasur asnjë lloj dyshimi se çfarë konfliktesh kishin në shtëpi. Për zhdukjen ka rreth dy javë që kemi marrë vesh, na kanë thënë që nuk ka ardhur në shtëpi. Ajo vajza nuk mbyt dot një pulë, jo njeri. Ka qenë vajzë shumë e mirë, studente, vajzë e respektuar. Nuk më shkon në mendje fare që ajo ta bëjë këtë veprim, absolutisht. Nuk kam informacion fare se do fejohej vajza”, tha ai për mediat.